Mitrovicë: Falë bashkëpunimit situata po menaxhohet mirë

Incidentet e fundit në pjesën veriore të Mitrovicës, ishin temë boshte e mbledhjes së Bordit të Drejtorëve, kryesuar nga kryetari i Komunës, Agim Bahtiri.
Duke shprehur keqardhje për rastet që kanë ndodhur, Bahtiri tha se të gjitha incidentet kanë qenë të natyrës kriminale, por që për shkak të specifikave të vetë qytetit, mund t’u jepen ngjyrime të tjera dhe kjo reflekton në tensionimin e situatës.
“Me thanë të drejtën, situata është e tensionuar, mirëpo falë bashkëpunimit të mirë të të gjithëve, si nga ana e politikës ashtu edhe asaj policore e ushtarake, kjo situatë po menaxhohet mirë. Përveç incidenteve të natyrës kriminale, kemi edhe rastin e zhdukjes së 17 vjeçarit, Sead Alushi, i cili ende nuk është gjetur, edhe përkundër angazhimeve të organeve të kërkimit”, theksoi Bahtiri.
Ai shtoi se operacioni i kërkimit po vazhdon ende në mënyrë intensive, dhe se ka kërkuar edhe angazhimin e një helikopteri dhe një barke speciale, të cilat sot pritet të jenë në funksion dhe besohet se do të bëjnë punë në gjetjen e Seadit.
Përveç angazhimeve të autoriteteve lokale rreth kërkimit të Seadit të zhdukur, që nga e premtja, në mbledhjen e Bordit janë diskutuar edhe çështje të tjera.
Drejtori për financa, Nysret Maxhera, njoftoi bordin se kanë filluar punën me program të ri nga e premtja, duke tejkaluar problemet që kanë pas rreth pagesës së borxheve të krijuara gjatë këtij viti, dhe alokimit e zotimit të mjeteve.
Drejtori i ambientit, Enver Uka, tha se janë duke punuar për realizimin e projektit për shënimin e Ditës së Tokës, më 22 prill, kur do të pastrohet i tërë qyteti.
Në këtë mbledhje u diskutua edhe për ecurinë e punëve në projektet që janë në realizim e sipër.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT