Ecuria hetimore e hetuesve policorë, në kuadër të stacionit ‘Jugu’ në Mitrovicë, ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e katër personave të dyshuar, të gjinisë mashkullore, të tre të moshës 16 vjeçare, të përkatësisë etnike shqiptar, banorë të Mitrovicës, shtetas të Republikës së Kosovës, arrestimi i të cilëve është bërë në orët e mbrëmjes së ditës së djeshme të datës 22 janar 2015, bënë të ditur Avni Zahiti, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës në Mitrovicë.
Hetimet policore nën autorizimin e prokurorit kishin nisur drejt zbardhjes së rastit të ‘grabitje’ të raportuar me datën 20 janar 2015 në Mitrovicë, ku viktimë e rastit ishte një femër, sipas të cilës dy persona të dyshuar ia kishin grabitur çantën e krahut e më pas kishin ikur në drejtim të panjohur për viktimën, ku në çantën e viktimës thuhet të ketë pasur një shumë të hollash prej 30 eurosh, si dhe dokumente personale dhe një kartelë bankare.
Rrjedha hetimore ishte zhvilluar mbi informacionet fillestare dhe deklaratën e viktimës së rastit për aq sa ajo kishte mundur të paraqesë rrethanat e rastit dhe përshkrimin e personave të dyshuar.
Hetuesit policorë duke pasur parasysh vendin dhe kohën e incidentit, brenda dy ditësh kanë arritur që mbi dyshime të arsyeshme të lokalizojnë zonën ku dyshohej se ndodheshin personat e dyshuar, arrestimi i të cilëve është bërë mbrëmë rreth orës 22:40 të datës 22 janar 2015, në rrugën “Agim Ramadani” në Mitrovicë.
Arrestimi i të dyshuarve ka rezultuar edhe me gjetjen e provave materiale të rastit të grabitjes, si: dokumentet e identitetit dhe kartelën bankare të viktimës, prova këto që do të procedohen në gjykatë.
Procedurat intervistuese ndaj të dyshuarve janë zhvilluar në prani të avokatëve, më pas me urdhër të prokurorit ndaj tre të dyshuarve për rastin ‘grabitje’ është caktuar masa e ndalimit për 24 orë, ndërsa i dyshuari i katërt për rastin tjetër ‘vjedhje’ pas intervistimit është liruar.
- Advertisement -