Mitrovica në luftë me orteqët e borës në Shalë të Bajgorës

Kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve në Komunën e Mitrovicës, kanë punuar edhe gjatë ditës së diel në zhbllokimin e rrugëve në fshatrat e Shalës së Bajgores dhe vazhdojnë të punojnë edhe sot. Përkundër angazhimit të tyre qarkullimi në rrugët e këtyre fshatrave, mbetet e vështirë për qarkullim, si pasojë e erërave të forta që po mbizotërojnë në këtë anë.
Drejtori i  Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, tha se edhe sot po punohet në zhbllokimin e rrugëve ndonëse situata paraqitet diçka më e mirë se ditëve të kaluara.
“Gjatë ditëve të vikendit në vazhdimësi është punuar në zhbllokimin e rrugëve në fshatrat  e Shalës së Bajgores, pas të reshurave të fundit që arritën lartësinë në mbi 60 m, derisa në disa lokacione në Shalë, erërat e forta kanë krijuar ortekë në lartësi deri në 1 metër”, tha Dragaj.
Ai shtoj, se operatorët që mirëmbajnë rrugën magjistrale, por edhe rrugët dytësore, gjithnjë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në terren për të bërë të kalueshme rrugët e fshatrave të Shalës, në mënyrë që tu lehtësohet qarkullimi banorëve të kësaj ane.
Edhe drejtuesi i kompanisë “Uniteti “, e kontraktuar nga komuna për mirëmbajtjen e rrugëve, Skender Tahiraj, pohon se edhe gjatë ditës së diel nga orët e hershme të mëngjesit është punuar në akset rrugore drejt fshatrave të caktuara, ku reshjet e borës dhe ortekët kishin bllokuar vendbanime të tëra, dhe fal angazhimit të punëtorëve rrugët në këto fshatra tashmë janë të kalueshme.
Sipas tij, vështirësi më të mëdha ka në fshatin Bajgorë,  ku sasia e reshjeve ka qenë më e madhe, por edhe për faktin se është në lartësi më të madhe dhe me gjithë  zhbllokimin e rrugëve të fshatit, erërat rikrijojnë ortekë që sërish krijojnë telashe në këtë drejtim.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT