Pak ditë para se Kosova të riaplikojë për anëtarësim në UEFA, proces ky që pritet të mbyllet brenda këtij viti, në të njëjtën kohë është hapur sërish tema rreth asaj se a do t’i bashkohen Përfaqësueses së Kosovës yjet që aktualisht i mbrojnë ngjyrat e shteteve tjera, siç janë Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Përparim Hetemaj, Adnan Januzaj, e shumë të tjerë.
Madje, kësaj here kjo temë është hapur në Itali, ku luan ylli kosovar i Zvicrës, Xherdan Shaqiri. Mesfushori i Interit ka folur rreth kësaj çështjeje, derisa deklarata e tij sigurisht se është mirëpritur te tifozët shqiptarë. Kjo pasi Shaqiri nuk e ka përjashtuar mundësinë që ta lë Zvicrën dhe t’i bashkohet Kosovës, pasi të anëtarësohet në UEFA.
“Ndryshimi për mua është i mundur, por ta konsideroj tani nuk është e nevojshme për faktin se nuk ka ende një vendim definitiv. Por, unë shpresoj që Përfaqësuesja e Kosovës të njihet nga FIFA, në ndërkohë unë në Zvicër ndihem mirë, jam i lumtur dhe kemi bërë gjëra të mëdha”, ka deklaruar Shaqiri për të përditshmen sportive italiane, “Corriere dello Sport”.
“Do të bisedojmë pastaj, por është fakt se në Përfaqësuesen time të tanishme ndihem shumë mirë”, ka theksuar Shaqiri.
Duhet theksuar se Kosova është shumë pranë anëtarësimit në UEFA e FIFA dhe pjesëmarrja e saj në kualifikimet për Botërorin “Rusia 2018” thuajse është e sigurt.
Shaqiri mund të ndikojë te yjet tjerë
Në rast se Xherdan Shaqiri vendos që ta lërë Përfaqësuesen e Zvicrës për t’iu bashkuar Kosovës, atëherë kjo do të mundë të ndikojë edhe te yjet tjerë, të cilët aktualisht luajnë për Zvicrën dhe kombëtaret tjera, siç janë Granit Xhaka, Valon Behrami, Adnan Januzaj, Përparim Hetemaj e shumë të tjerë. Kështu ka thënë edhe përzgjedhësi i Përfaqësueses kosovare, Alebrt Bunjaku, ku është pyetur nëse mund të ndikojë te futbollistët tjerë ardhja eventuale e Shaqirit në Përfaqësuesen e Kosovës. “Po, po natyrisht, Kosova ka shumë potencial”, ka thënë shkurtimisht Bunjaku për “Zërin” nëpërmjet një e-maili.
Paralajmërimi i Sokolit
Në anën tjetër, eksperti i futbollit kosovar Bylbyl Sokoli, e ka mirëpritur deklaratën e Xherdan Shaqirit. Por, profesori thotë se ardhja e tij dhe yjeve tjerë në Përfaqësuesen e Kosovës varet prej disa faktorëve, derisa e përmend atë më kryesorin. “Është e vështirë të parashikohet kthimi i tyre. Lojtarët si Shaqiri, Xhaka, Behrami, Januzaj, pra futbollistët e këtij niveli, secila kombëtare do të kishte shumë dëshirë t’i kishte. Por, ardhja e tyre në Përfaqësuesen e Kosovës varet prej disa faktorëve”, thotë trajneri i FC Prishtinës.
“Faktori kryesor që mund të ndikojë është ky: ata futbollistë do ta shqyrtojnë dhe analizojnë fuqinë e Përfaqësueses së Kosovës. Ata do ta shqyrtojnë situatën se a ka kapacitet Kosova të shkojë në Kampionate Evropiane e Botërore, pasi perspektivën e tyre e shohin shumë të lidhur me prezencën e tyre në këso evenimente. Nëse e shohin se mund ta arrijnë këtë, mund të kthehen”, deklaroi Sokoli për “Zërin”, duke e ripërsëritur atë që e thotë gjithnjë: “Një komb, një kombëtare”, do të ishte zgjidhja dhe fitorja më e madhe për futbollin shqiptar.