Miqësia e veçantë 37 vjeçare mes ish-postierit dhe mjelmës që i habiti të gjithë

Recep Mirzan, një ish-postier nga qyteti turk Edirne, ka mbajtur një miqësi të pazakontë, por të fuqishme me një mjellmë që nuk ndahet prej tij për 37 vjet.

Gjithçka filloi në vitin 1984 kur Mirzan, duke shpërndarë postën në një fshat, gjeti një mjellmë që ishte plagosur dhe i ndihmoi të shërohej, pas çka ata u bënë miq të pandashëm.

Mjellmën, të cilën e quajti Garip, e solli më pas në shtëpi në Edirne për ta ndihmuar të shërohej.

Mirzan i kushtoi vëmendje mjellmës, krahu i së cilës ishte thyer, por më pas mjellma nuk donte të largohej nga postieri pasi u shërua, megjithëse mund të fluturonte pa ndonjë problem.

Që atëherë, mjellma ka qëndruar në oborrin e ish-postierit dhe nuk ndahet me mikun e tij, me të cilin qëndron derisa ai punon në kopsht, derisa pushon apo madje edhe për të bërë një shëtitje në mbrëmje.

Mirzan tha se gruaja e tij vdiq shumë vite më parë dhe që nga ajo kohë ai kalon shumë kohë me kafshët, të cilat i do shumë.

Ai thotë se mjellma Garip është një kafshë e veçantë, sepse nuk e braktisi kurrë, edhe në momentet e vështira kur vendi u godit nga përmbytjet.

“Përderisa punoja si postier, e pashë në fshat. Ai ishte i plagosur dhe unë e solla atë në shtëpi“, tha ai.

Mirzan shtoi se e ndihmoi mjellmën të rikuperohej duke ia mbrojtur krahun e dëmtuar me disa copa druri dhe tel.

“Krahu i tij është ende pak i ulët, por i fortë. Ai vjen kur e thërras. Unë jam 63-vjeçar. Mbase ai është më i vjetër se unë. Ai ka qenë këtu që nga viti 1984 dhe nuk më ka lënë kurrë. Nuk u largua edhe kur kishte përmbytje. Dikur ishte shumë energjik, tani është plakur“, thotë Mirzan, duke shtuar:

“Nëse ai vdes, unë do të bëj një varr për të këtu, por shpresoj se do të jetojmë së bashku për një kohë të gjatë”, tha Mirzan.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT