Ministrja e Arsimit e Madagaskarit, Rijasoa Andriamanana, u detyrua të jepte dorëheqjen pasi plani i saj për të blerë “sheqerka” për nxënësit e shkollave me vlerë 2.2 milionë dollarë u refuzua.

Ministrja sqaroi se ajo mendoi se do të ishte mirë t’i jepte secilit nxënës tre ëmbëlsira që mund të lehtësojnë shijen e hidhur të pijes barishtore që ata marrin, e për të cilën thuhet se kuron koronavirusin, transmeton lajmi.net.

Mediat lokale shkruajnë se ajo ishte e detyruar të anulonte porosinë pasi presidenti Andry Rajoelina hodhi poshtë propozimin e saj, megjithëse qeveria e tij po promovon një pije si ilaç kundër COVID-19.

Disa vende afrikane vazhdojnë të importojnë shurupin Covid-Organics, duke besuar se kontribuon në luftën kundër virusit, megjithëse Organizata Botërore e Shëndetit pohon në mënyrë të qartë se nuk ka asnjë provë që ky shurup bimor shëron koronavirusin.

Në Madagaskar, një nga vendet më të varfra në botë, 1,052 raste të infeksionit koronavirus dhe nëntë vdekje nga pasojat e sëmundjes janë regjistruar deri më tani. /Lajmi.net/