Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, sot ka marrë pjesë në mbledhjen e Grupit Punues për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.

Me këtë rast ministri në detyrë, Selimi, tha se sot në përvjetorin e Masakrës së Reçakut, më shumë se kurrë na duhen dëshmi për krimet e luftës të cilat edhe kanë për qëllim të ruajtjes së memories kolektive.

“ Unë sot kam ardhur me shkas, për shkak së është përvjetori i masakrës së Reçakut. Ky përvjetor, është dita që e ka bërë kthesën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Memoria për Reçakun është memorie e vajit të nënave, motrave dhe të gjithë fëmijëve, që ende kumbon në kokat tona. Qëllimi i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës duhet të jetë ruajtja e kësaj memorie”, tha ministri Selimi.

Sipas Selimit, Kosova duhet ta ketë një adresë se ku mund të drejtohen gjeneratat e ardhshme dhe të shohin se çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës.

“ Ne kemi kaluar një periudhë jashtëzakonisht të vështirë për të ardhur deri këtu. Tashmë e kemi obligim që atë periudhë të vështirë ta gdhendim në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, duke vërtetuar dhimbjet dhe vuajtjet që kanë kaluar qytetarët tanë. Populli ynë u ngrit nga hiri dhe dhimbja për të gjithë ata që u flijuan për lirinë tonë na shërben si forcë për të rindërtuar. Kosova nuk do t’i harrojë kurrë̈”, tha ministri Selimi.

Ministri në detyrë, Selimi ka informuar se do të angazhohen 100 studentë në këtë Institut, ndërsa shprehu hapur bashkëpunimin dhe ndihmën që Ministria e Drejtësisë do të ofrojë për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.

Ministria e Drejtësisë në tetor të vitit 2020, kishte ri-proceduar në Zyrën e Kryeministrit kërkesën për përfshirje në rend të ditës, ku ishte aprovuar propozimi i MD-së për të themeluar Grupin Punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Instituti do të ketë akademikë, profesorë, aktivistë të çështjeve të luftës, familjarë të personave të pagjetur dhe përfaqësues nga Shoqata “Thirrjet e Nënave”.