Ministri gjerman përkrah marrjen e vaksinës ruse në Gjermani

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, tha të premten se do të ishte në favor të nënshkrimit të një marrëveshjeje kombëtare për furnizim me vaksinën ruse për Covid-19, Sputnik V.

“Unë gjithashtu mund të imagjinoj se mund të arrijmë kontrata dhe t’i arrijmë ato shpejt”, tha Spahn gjatë konferencës javore për zhvillimet e reja, duke shtuar se Gjermania është në kontakt të ngushtë me Rusinë rreth vaksinës për Covid-19.

Megjithatë, ai theksoi se si parakusht ka më shumë detaje sa i përket asaj se sa doza do të mund të siguroheshin. “Në të vërtetë, unë jam shumë në favor që ne ta bëjmë këtë në nivel kombëtar, nëse Bashkimi Evropian nuk bën asgjë”, shtoi ministri gjerman.

Procesi i vaksinimit në Gjermani është zhvilluar mjaft ngadalë, fillimisht për shkak të mungesës së dozave e më pas për shkak të pezullimit të përdorimit të vaksinës së kompanisë AstraZeneca, e cila do të përdoret përsëri nga e premtja pasi u vlerësua si e sigurt dhe efektive nga rregullatori evropian.

Agjencia Evropiane e Ilaçeve u ka bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së që të mos nguten për ta përdorur vaksinën ruse përderisa vazhdon analizimi dhe vlerësimi i saj. Sidoqoftë, Hungaria, anëtare e BE-së, tashmë ka filluar ta vaksinojë popullatën e vet me këtë vaksinë.

Vaksina ruse është miratuar për përdorim në disa vende të botës, përfshirë Kinën, Indinë, Brazilin, Argjentinë, Meksikën dhe në disa shtete afrikane.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT