Gjigandi Microsoft së fundmi ka marrë në zotërim dhe aplikacionin Sunrise. Bëhet fjalë për prodhuesin më të mirë të kalendarëve për iOS dhe Android, sipas TechCrunch. Mësohet se Microsoft pagoi 100 milion dollar për këtë kompani.
Kohët e fundit gjigandi i softuerit është përpjekur të rivitalizojë aplikacionet e saj për telefona duke arritur platforma të reja me produktet e tij. Pritet që Sunrise të luajë një rol kryesor në përpjekjen më të fundit. Realisht kjo është hera e dytë që Microsoft bën një blerje të zgjuar përsa i përket aplikacioneve; para pak kohësh kompania bleu aplikacionin Acompli dhe më pas e riemërtoi atë në Outlook. Aplikacioni i ri Outlook u cilësua si aplikacioni më i mirë i emailit. Ndërkohë Sunrise akoma nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë blerje, akoma nuk ka një informacion të qartë se si do të operojë ajo nën cadrën e Microsoft.
Ka shumë të ngjarë që aplikacioni të vazhdojë të funksionojë në të njëjtën mënyrë dhe të shkarkohet në dyqanet respektive të App Store dhe Play Store. Është e mundur që Microsoft të ketë planifikuar të integrojë aplikacionin Sunrise me atë Outlook. Çfarë do të ndodhë realisht me Sunrise me siguri do ta marrim vesh së shpejti. (CIO Albanian)
- Advertisement -