Messi ç’virgjëron Neurin, për fitore në natën e parë (Foto)

Barcelona ka arritur që falë lojtarit më të mirë në histori të futbollit, Lionel Messi, ta mposhtë Bayern Munichun me rezultat 3-0 në Camp Nou, duke krijuar një përparësi të madhe para ndeshjes kthyese në Allianz Arena që zhvillohet të martën.

Atmosferë fantastike mbretëroi në Camp Nou në fillim të takimit ku në mënyrë të ngrohtë u prit Pep Guardiola, trajneri që i dha epokën më të ndritshme në histori klubit katalanas.

Si do që të jetë, pritja e mirë në fillim nuk ishte aq e mirë në fushë.

Barcelona filloi ta dominonte sfidën nga minuta e parë dhe arriti që me dy-tri dalje të rrezikshme të rrezikojë portierin Manuel Neuer.

Rasti më serioz ishte ai kur Luis Suarz u gjend përballë portierit gjerman, i cili në mënyrë spektakolare në një situatë një – me – një arriti që të devijojë gjuajtjen që po shkonte në portë. Camp Nou i shokuar, Neuer ai që buzëqesh si triumfator në fund.

Megjithatë, për portierin gjerman kishte ende punë. Messi dhe Suarez rrezikuan sërish portën e gjermanëve, teksa rasti i vetëm për Bayernin ishte kur Thomas Muller nuk arriti të shfrytëzonte një huti në mbrojtjen jashtëzakonisht të fortë të Barcelonës.

Në fund të takimit ishte Dani Alves ai që pati një rast të shkëlqyer para portës së Bayern Munichut, por që edhe kësaj radhe përfundoi me fat për Bayernin pa pranuar gol.

Pjesa e dytë ishte po aq interesante sa edhe në pjesën e parë. Barca natyrisht se kishte dominimin dhe rastet.

Mbrojtja e Bayernit u ngjedh edhe më shumë dhe nuk la fare hapësira teksa ndeshja nuk po zgjidhej nga aksionet e ndërlikuara të Barcelonës.

Kur të gjithë menduan se Bayerni është i pathyeshëm, në skenë u shfaq më i madhi i futbollit.

Teksa pranoi një pasim nga Dani Alves, Messit më i kapërceu durimi dhe lansoi një goditje spektakolare, që kësaj radhe nuk u ndal as se si nga Neuer. Barca në avantazh, Messi në qiell, tifozët në eufori.

Por, festa vazhdoi vetëm tri minuta më vonë (80′), kur Lionel Messi së pari me një tango argjentinase e la në tokë të shkatërruar Boatengun, e më pas si një piktor i vërtet e pikturoi portretin e Manuel Neuer në panoramën e mrekullueshme të Camp Nou. Messi thjesht, futbollisti më i mirë në histori të futbollit.

Deri në fund të takimit u shënua edhe një gol nga Braziliani Neymar per rezultatin përfundimtar 3-0,  Barcelona ka një epërsi solide para ndeshjes kthyese që zhvillohet të martën në Allianz Arena e ku Bayern Munichut i duhet shumë punë për t’u kthyer.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT