Mësojeni arsyen pse fëmijët e adhurojnë sheqerin dhe refuzojnë perimet

Bebeve dhe fëmijëve u pëlqen shumë shija e ëmbël. Ëmbëlsirat na pëlqejnë edhe të rriturve, por gjatë fëmijërisë gama e shijeve është shumë më e kufizuar dhe ekziston një refuzim i lindur ndaj shijeve të hidhura.

Dr. Julie Mennella është një hulumtuese që studion preferencat e shijeve te njeriu. Ajo, së bashku me Dr. Nuala K. Bobowski, sapo ka botuar një punim të titulluar: ‘Ëmbëlsia dhe hidhësia në fëmijëri: Perspektiva e preferencave të shijes’.

Fëmijët: shijet e hidhura dhe perimet 

Pse fëmijët nuk i pëlqejnë perimet? Shpjegimi i parë është se janë ushqime që ofrojnë pak kalori. Qiellza e fëmijëve preferon ushqime të tjera më energjike, që i ndihmojnë të rriten në rritje dhe zhvillim. Arsyeja tjetër është shija e tyre e hidhur. Kur ekspozohen ndaj shijes së hidhur, të sapolindurit rrudhin hundën e tyre, shkundin kokën, lëkundin krahët dhe shtrembërojnë fytyrën. Ky refuzim ulet me kalimin e viteve.

Refuzimi brusk i bebeve ndaj shijes së hidhur i mbron nga gëlltitja e helmeve, pasi shumë përbërje të hidhura janë toksike. Gjatë fëmijërisë, risku për helmim aksidental është më i lartë.

Për të reduktuar këtë fenomen, prindërit duhet t’u japin vazhdimisht fëmijëve të tyre perime, pasi kështu rritet probabiliteti që ato të bëhen të pranueshme. Zgjidhja e vetme është durimi.

Tërheqja ndaj të ëmblës te fëmijët

Qumështi i nënës, falë laktozës, ka një shije të ëmbël karakteristike. Kështu, është shumë e rëndësishme që i sapolinduri të parapëlqejë qumështin e nënës ndaj ushqimeve të tjera; përndryshe, do vdiste nga kequshqyerja. Pra, bebet e sapolindura kanë aftësinë të refuzojnë shijet e hidhura dhe të parapëlqejnë shijen e qumështit të nënës.

Jo vetëm kaq, por shija e ëmbël është karakteristike e ushqimeve me shumë kalori.

Sheqeri dhe pijet ‘energjike’

Një pjesë e mirë e suksesit të ashtuquajturave ‘pije energjike’, konsumi i të cilave është rritur shumë te fëmijët, vjen si pasojë e sasisë së madhe të sheqerit që përmbajnë, e cila maskon shijen e hidhur të kafeinës. Shija e pastër e kafeinës nuk tolerohet nga pjesa më e madhe e fëmijëve dhe adoleshentëve. Kjo bën që fëmijët të marrin sasi të mëdha sheqeri dhe kafeine, një substancë që nuk duhet të ishte pjesë e dietës së tyre.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT