“Mesazhi” i Vetëvendosjes për koalicionin me LDK-në

Pavarësisht takimeve pa rezultate, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti pak orë para se të hynte në takim me Mustafën u shpreh optimist se marrëveshja për koalicionin qeverisës është e mundshme të ndodhë.

Para mediave Kurti deklaroi se bisedimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës janë të pashmangshme dhe se beson që ato do të rezultojnë me një marrëveshje, por që nuk mund t’i thotë konkretisht elementet e saj pa u arritur ajo.

Ndërkohë për ndarjen e ministrive dhe opsionin e ndarjes së tyre gjashtë me katër, Kurti tha se do të diskutojnë në takimet e radhës.

“Të gjitha këto çështje diskutohen në procesin e bisedimeve.

Qëndrimet tona janë të qarta sa i përket se si ne e synojmë atë marrëveshje. Mos harroni nuk kanë qenë të kollajshme ato gjashtë takimet për harmonizimin e programeve, për ato ka pasur më pak interesim, për këtë ka më shumë, jam optimist se do t’ia dalim”, tha ai, shkruan sot gazeta Zëri.

Ai foli edhe për presionin ndërkombëtar duke theksuar se të gjitha thirrjet janë që të formohet qeveria e re, por jo duke ndërhyrë në elementet e marrëveshjes mes palëve.

“Me siguri se në të gjitha takimet që kemi pasur me faktorët ndërkombëtarë kryefjala është se duhet të bëhet marrëveshja. Ne këtë e kemi kërkuar qysh në fillim dhe kemi vullnet që tash në këto ditët e mbetura përfundimisht ta realizojmë këtë marrëveshje. Faktorët ndërkombëtarë nuk bëjnë asnjë trysni konkrete për elementet tona të marrëveshjes veçse thonë bëjeni atë marrëveshje”, tha Kurti.

Se ndasitë me LDK-në mund të tejkalohen e ka pranuar edhe nënkryetari i Vetëvendosjes Besnik Bislimi. Ai tha se pas zgjedhjeve të tetorit të dyja partitë që dolën të para kanë vendosur standard të ri në politikëbërjen dhe në mënyrën e formimit të qeverive. Kësisoj sipas Bislimit, me maturi do të kalohen të gjitha ndasitë. “Momentalisht duket se negociatat kanë ngecur për arsye se në tavolinë kanë dalë kërkesa pa mbulesë, por jam shumë optimist se edhe kjo do të tejkalohet me maturi dhe vendi do të bëhet shumë shpejt me institucionet, që i ka votuar dhe kërkuar”, ka thënë Bislimi.