Analisti politik nga Shqipëria, Mentor Nazarko, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës ka folur lidhur me mospjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Ohrit.

Nazarko theksoi se ky samit e ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian dhe se Kosova duhet sa më shumë të marrë pjesë në takime rajonale.

“Nuk duhet ta injorojmë faktin se ky samit – megjithë vlerën e kufizuar praktike –  e ka mbështetjen e SHBA-ve dhe BE-së [Shefi i Politikës së Jashtme Josep Borrell do të jetë në Durrës]. Kosova duhet të marrë më shumë pjesë në forume ndërkombëtare dhe rajonale”.

“Duhet të ndjekim me vëmendje edhe qëndrimet e Albin Kurtit në lidhje me këtë iniciativë rajonale: Për Novi Sadin, ai tha se u gabua me përjashtimin e Kosovës dhe se Kosova duhet të marrë pjesë në sa më shumë forume rajonale. Pas takimit me Edi Ramën në Tiranë, ai tha se e sheh Minishengenin më shumë si ide sesa projekt”, nënvizoi Nazarko i cili fliste në plan personal.

Ai shtoi se është më mirë të marrin pjesë dy shtete shqiptare me zë të koordinuar në iniciativat rajonale sesa dy shtete që sulmojnë njëra-tjetrën.

“Duhet ndalur taktizimi dhe animoziteti publik brendashqiptar veçanërisht në nivel të numrave dy, sepse dëmtohet faktori shqiptar në përgjithësi”.

“Nga sa pashë në Deklaratën e Përbashkët të Samitit të Ohrit theksi ishte tek lëvizja e lirë e qytetarëve. Mali i Zi merrte pjesë me Ministren e Ekonomisë duke privilegjuar ekonominë prej këtij takimi”.

Nazarko tha se Samiti i Ohrit megjithë shoun që shfaqi, në sytë e miqve të Kosovës duhet supozuar se do të shërbente për të relaksuar raportet mes Kosovës dhe Serbisë para rinisjes së dialogut.

“Edhe i Dërguari Special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer e ka mbështetur këtë inciativë”.

Sipas Nazarkos, Kosova ka dilema se kush duhet ta udhëheqë politikën e jashtme.

“Kosova ka mungesë të unitetit institucional se kush do të udhëheqë me politikën e jashtme – presidenti apo kryeministri”.

Ai foli edhe për raportin e Kosovës me Serbinë në rrethanat e reja, kur Serbia ka probleme me të gjithë fqinjtë – me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Kosovën.

“Duhet ndjekur me vëmendje qëndrimi i Albin Kurtit në lidhje me dialogun. Mos të harrojmë se SHBA-të janë të interesuara të shohin rezultate edhe atë deri para zgjedhjeve në Serbi”.

“Polemikat brendashqiptare në lidhje me Samitin e Ohrit, që ndërlidhen edhe me skenarët e dialogut, tregojnë sa i rëndësishëm është krijimi i një lloj Këshilli Konsultativ për Politikën e Jashtme, apo koordinimi me Shqipërinë dhe faktorin shqiptar në përgjithësi, për të folur me një zë shqiptar. Perëndimi, aleati ynë kryesor, nuk ka kohë për të humbur sa të krijojmë ne institucionet”.

Ndërkaq, polemikat e krijuara kundër kryeministrit shqiptar Edi Rama ai i quajti më shumë si tentim për të dëmtuar Ramën sesa për ta futur në vështirësi atë që pretendon të udhëheqë me Qeverinë e Kosovës, Albin Kurtin, të cilit i duhet të bashkëpunojë me homologun e tij të Shqipërisë.

“Ndoshta takimi pesëorësh mes tyre ka krijuar njëlloj xhelozie në Prishtinë”.