PDK-ja e ka zgjedhur kryesinë e re, ku në mbledhjen e sotme të Këshillit Drejtues është votuar me shumicë votash propozimi i kryetarit të kësaj partie Memli Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës tha se është i nderuar me emrat që e përbëjnë ekipin e tij.

“Shpreh bindjen dhe vullnetin tim se kemi një ekip të jashtëzakonshëm me të cilin do të vazhdojmë betejën politike dhe do të ballafaqohemi me sfidat që i kemi përpara. Jam i nderuar për njerëzit që kanë pranuar t’i bashkohen PDK-së në këtë fazë. Ata kanë besuar në vizionin tim dhe te potenciali i PDK-së për t’u rikthyer dhe rikthimi i PDK-së për të marrë besimin qytetar fillon sot kur unë kam një ekip të cilit i besoj dhe me të cilët mendoj që të zhvilloj tutje deri në arritjen e objektivave dhe vizionit që kam shpërfaqur para një muaji kur Konventa e PDK-së më dha besimin që të jem kryetar i PDK-së”.

“Në ditët në vijim do të shihni aktivitetet që na presin, derisa nesër planifikoj ta mbledh kryesinë për mbledhjen e parë konstitutive dhe për të vazhduar me vendime të rëndësishme që na presin si kryesi, sidomos ato që na presin për zgjedhjet e 17 tetorit”.

Sekretar i Përgjithshëm i PDK-së do të jetë Bajrush Xhemaili, derisa nënkryetarë do të jenë Vlora Çitaku, Uran Ismaili, Enver Hoxhaj dhe Ramë Buja.

Anëtarë të kryesisë do të jenë Bernard Nikaj, Donika Shahini-Lami, Jakup Nura, Bekim Çollaku, Nexhat Demaku, Evgjeni Thaçi-Dragusha, Sokol Bashota, Besa Kabashi-Ramaj, Adri Nurellari, Rashit Qalaj, Zenun Pajaziti, Valdete Idrizi, Betim Gjoshi, Fehmi Mujota, Petrit Hajdari, Luljeta Veselaj-Gutaj, Blerand Stavileci, Muzafer Shala, Muhamet Haliti, Kujtimi Gashi, Safete Hadërgjonaj dhe Donjet Bislimi.