Flamur Maloku
Në dialogun ndër tekstor të filozofisë së novelës E madhe është gjëma e mëkatit – Tat Tanushi i Bubutimës e Mitrush Kutelit, shenja veneruese gjithnjë hynë në shërbim të esencës se dualitetit shpirt/trup. Duke qenë kjo, përherë kushtëzimet në interpretim refuzohen. Pra, të kjo novelë, duhet të shtrihen vijat e shumëfishta të analizimit, të kërkohen gjithnjë farat e arki-gjenezës/gjenezës së fenomenit dhe kulturës.
Duke i njohur të gjitha variantet e invariantet e strukturës së novelës E madhe është gjëma e mëkatit – Tat Tanushi i Bubutimës, interpretimi bëhet sprovim i leximit në kërkim të identitetit të vazhdueshëm të domenit letrar në përgjithësi. Kjo do të thotë se venerimi hap rrugë, jo vetëm për një tekst letrar, por për tërë diskursin universal të letërsisë. Shkurt, kjo bëhet mundësi e madhe për një teori sa më funksionale në hetim të botës letrare. Në nivelet e tekstit, kryqëzimet ideore dhe fenomenet në përgjithësi shkojnë paralelisht njëra me tjetrën. Nënshtrimi i shenjave vendoset në figurën e madhe të botës fiktive të novelës E madhe është gjëma e mëkatit…, pra më konkretisht te personazhi Tat Tanushi dhe misioni i tij në jetën reale, karshi kodit moral e dashurisë hyjnore. Prandaj, mund të shihet se është një udhë e vështirë e hetimit, sepse përballë kemi një kod të madh që është ai hyjnor, të cilit Tata i shërben. Formimi i personazhit Tat Tanushi, dhe misioni i tij fetar i predikimit në jetën reale, bëhet fenomen i veçantë për filozofinë e vetë kulturës së besimit kristian. Aty ku shkelet kodi fetar, predikimi i njeriut fetar, pra refuzimi i dashurisë hyjnore, dhe pranimi i dashurisë tokësore, dhe dënimi më pavdekësi për Taten nga ana e Zotit, gjithnjë do ta relativizojë kërkimin semantik, nëpër fenomenin e përgjithshëm të diskursit metafizik. Ky relativizim jepet çdoherë si mundësi identifikimi i fenomenit shpirt/trup, i njeriut fetar. Duke e bartur njohjen mbi shenjen, metadiskursi i tekstit tanimë shtrihet gjithnjë në kulturën e veneruar përballë mëkatit universal. Prekja e mëkatit në tekstin e Kutelit, dhe njohja universale, cakton në parim luftën e përhershme të filozofisë së shpirtit/trupit.
Hyrje në rilexime
Vazhdimisht mbi këtë dualitet skicohet ngjarja, shënjohet filozofia, ndërsa mëkati dhe kërkimi i vazhdueshëm i katarsisit, përgjatë strukturimit të novelës, më shumë të qon te ideja/ fenomeni/kultura. Meqenëse inter-komunikimi në lexim hap rendin, konceptimi i kodit moral i njeriut në mision, shërbesë, që sa vjen e bëhet më problematik, pra zgjerohet e shumëfishohet. Problematizimi i kodit moral prek njohjen kulturën, formimin. Kultura e formimi bëhen intencë themelore e filozofisë së besimit kristian. Personazhi Tat Tanushi i Bubutinës, është njeri në shërbesë të Zotit, por që në jetë humbin rrugën e drejtë. Humbja e rrugës së Zotit, prek filozofinë e besimit. Filozofia lindë nga problemi i vazhdueshëm i joshjes trupore.
Ecja drejtë mëkatit për personazhin Tat Tanushi është së pari rikthimi nga Kalija, (e dashura), që njëherësh është zgjedhja e dashurisë tokësore mbi atë hyjnore, Tat Tanushi, duke u kthyer plotësisht nga Kalija, shmang atë që kërkon morali i predikuar nëpërmjet Librit të Zotit, kthimin nga Ai. Ky rikthim i Tatës nga Kalija në esencë bëhet gjithnjë e më shumë shmangie e moralit të predikuar, që më të Tata përfaqësohet e identifikohet. Duke qenë kjo zgjedhje e Tatës me pranim të dashurisë tokësore dhe me zbehje të dashurisë hyjnore, Zoti do ta sfidon Tatën, ia merr Kalijen nga jeta:
“Aq shumë e tronditi kjo Tatën sa iu duk se u shemb gjithë jeta dhe ranë kryqet e lartësirave. Kish parë shumë të vdekur në jetën e tij, po tjetër ish Kalija. Ajo s’duhej të vdiste.. A mos e kish sjellë që larg për ta varrosur aty?.”
Vdekja e Kalisë për Tat Tanushin shënjon ndjenjën e brendshme, zjarrminë e afishuar, që do ta përshpejton njëherësh edhe mëkatin e Tatës. Tanimë vija vertikale, Njeri/Zot, sa vjen e shkatërrohet, sepse besimi dhe dashuria për Zotin mungon. Nga mungesa e besimit mëkati trupor gjithnjë e më shumë thellohet, kurse ai shpirtëror gjithnjë e më shumë rëndohet. Reflektimi i mosbesimit në Zot për Tatën është vdekja e Kalijes, e cila vdekje për Tatën varësisht moralit të predikimit, bëhet mosbindje ndaj urdhrave të Zotit, madje edhe fajësim. Mos nënshtrimi ndaj urdhrave të Zotit, Tatën e qon te mëkati i madh, kur bën dashuri me gruan e huaj nga qyteti:
“Dhe bota u shemb me zhurmë të madhe. Dhe ranë gjithë faltorët. Dhe ranë gjithë kryqet. Sepse Tat Tanushi i Bubutimës, enoria e Apollonisë, kreu mëkatin e math të mishit, brenda në shtëpinë e tij, përpara korave dhe të gdhendurave me fytyrën e Kalijes”.
Mëkati bëhet edhe më i rëndë kur Tata, ashtu nën petkun e murgut, e me mëkatin e kryer shkon dhe e drejton meshën, nga mëkati i bërë dëgjohet zëri i Zotit Anaksios- (që do të thotë: nuk je i drejtë). Zëri i Zotit u dëgjua tri herë, por Tata nuk mendonte asnjëherë për mëkatin që kishte kryer më parë. Zëri i Zotit kalon në mërzitje, refuzim, dhe Tata me një vrazhdësi thotë:
–thirri me zë të vrazhdët:
-Aty mbeç!
Dhe zëri ia këtheu:
-Kurrë mos vdekç!
Ky është dënimi më i madh që Zoti i bën Tatës me pavdekësi. Pavdekësia për Tatën bëhet e rëndë për jetën. Kërkimi i vdekjes nga vetë Tata bëhet domosdoshmëri e pashmangshme për jetën. Mirëpo, ky është dënimi/urdhri, vullneti i Zotit, sepse gjatë tërë kohës shpirtërorja i ka munguar Tatës, e cila lidhej më besimin për Zotin, sepse Tata nuk është njeri i shpirtit, por lojtar i trupit. Duke qenë loja e trupit, krenaria individuale të Tata nuk shmangët, të cilën krenari do ta ketë në jetë deri në gjetjen e besimit shpirtëror. Sepse krenaria i buron nga trupi, krenari e cila është naive e që matet edhe me vullnetin e dëshirën universale, me dashurinë universale. Kjo ide e dënimit të shpirtit nga ana e trupit, të qon njëherësh të filozofia e Sokrati, mbi atë, se shpirti është duke vuajtur dënimin e së ligës, krimit, dhe duke u bazuar në këtë trupi është konsideruar si një mburojë ose burg, në të cilin shpirti është varrosur. Burgu/trupi është në luftë të përhershme
me shpirtin. Tendenca e shpëtimit të shpirtit/trupit është vetëm besimi në Zot, por që ky besim i mungon Tata.
Bredhja e Tat Tanushit është bredhje për tek katarsisi/spastrimi, që në planin e ideve, theksojnë nisjen e udhës së tentimit për ta mundur trupin me dëshirat e tij dhe për ta fituar çlirimin e shpirtit. Kjo dëshirë e mundjes së trupit/ mishit, bëhet e rënd, por në esencë të shtresimit, e çliron shpirtin, dhe ngrit besimin dhe dashurinë për Hyjnë. Kur bëhet çlirimi i shpirtit, pra kur bëhet katarsa, rikthimi për të Zoti është i pashmangshëm. Ky rikthim për Tat Tanushin bëhet atëherë kur i paraqitet figura e Zotit, që më paraqitjen e figurës, është edhe përmbushja e vullnetit të Zotit, njëkohësisht edhe rikthimi i tij drejtë besimit/prehjes/vdekjes.
- Advertisement -