Mehaj: Së shpejti do të hapet konkursi për 850 rekrutë të rinj në FSK

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në foltoren e Kuvendit të Kosovës ka thënë se së shpejti do të hapet konkursi më i madh i rekrutimit në FSK. Do të rekrutohen 850 rekrutë të rinj, ka thënë Mehaj.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë të rinjve e të rejave që të aplikojnë dhe ka thënë se procesi do të jetë i drejtë, i barabartë e shumë profesional.

“Për proceset e kaluara kam dëgjuar se ka pasur ankesa, ka pasur dyshime për proceset e rekrutimeve. Unë u them të gjithë të rinjve e të rejave, se nën udhëheqjen time do të ketë proces rekrutimi të drejtë, të barabartë , strikt e profesional. Shumë shpejt do të hapet konkursi për rekrutimin më të madh ndonjëherë në Kosovë. Rreth 850 rekrutë të rinj do të pranohen në FSK, procesi do të monitorohet nga Kallxo.com e edhe do të incizohet çdo gjë me kamera. Bordi do të jetë profesional e i paanshëm, për të përzgjedhur më të mirët. Por kam edhe një kërkesë, nëse vëreni anime, jo profesionalizëm, nëse vëreni se dikush favorizon dikë, dërgoni tek unë informatat, e unë ju garantoj se ata nuk kanë vend brenda Ministrisë së Mbrojtjes, zotohem para juve e para qytetarëve të Kosovës”, tha Armend Mehaj, Ministër i Mbrojtjes.