Gjykatësi hetues i Gjykatës së Qarkut në Slavonski Brod, të martën në mëngjes i vendosi një muaj paraburgim shoferit të autobusit të Deva Tours, D. L, i dyshuar për shkaktimin e aksidentit tragjik, gjatë mëngjesit të së dielës, ku 10 persona mbetën të vdekur.

Rasti u mor nga Prokuroria e Shtetit të Qarkut Slavonski Brod, e cila propozoi që shoferit t’i caktohet një muaj paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes.

Shoferi kosovar u mor nën mbrojtje nga avokatët e Zagrebit, Igor Cisper dhe Ljubo Pavasoviq Viskoviq, të cilët  sipas mediumit kroat Jutarnji.hr, dyshohet se ishin punësuar nga familja e shoferit, përcjell Gazeta Online “Reporteri.net.

Sipas këtij mediumi, transferimi i rastit në Prokurorinë e Qarkut do të thotë që, ndryshe nga informacionet fillestare, prokurorët arritën në përfundimin se kjo ishte një formë e kualifikuar e aksidentit të rëndë të trafikut, për të cilin shoferi mund të përballet me deri në 15 vjet burg.

Megjithëse kishte informacione shoferi i dyshuar pranoi në një moment se e kishte zënë gjumi në timon, avokati i tij Cisper i mohoi këto pretendime, duke thënë se klienti i tij kurrë nuk i kishte thënë askujt se ai kishte rënë në gjumë gjatë vozitjes.

Shoferi u mbrojt në heshtje në marrjen e parë në pyetje nga policia dhe më vonë para Prokurorisë së Shtetit.

“Atij i vjen keq që ndodhi gjithçka. Do të shohim më tej. Me sa kam informacione prej tij, ai kurrë nuk i tha askujt se e ka zënë gjumi në timon”, tha avokati Cisper dje.

“Në marrjen e tij të parë në pyetje, D. L. u mor në pyetje pa avokat, dhe atëherë policia e akuzoi se ka fjetur në timon. Edhe nëse ai kishte pranuar në atë kohë se kishte fjetur, kjo deklaratë nuk mund të përdorej kundër tij në procedurën penale, pasi ai ishte marrë në pyetje për një vepër më të vogël, për të cilën nuk kërkohej prania e mbrojtësit. Prokurorët më vonë vendosën të “forcojnë” kualifikimin, megjithatë, që mbrojtja të jetë e vlefshme për një veprim të tillë si provë e ligjshme, është e nevojshme që i dyshuari të ketë një mbrojtës gjatë marrjes në pyetje”, ka theksuar ai.

Mes dëshmitarëve,  sipas Jutarnji.hr, thuhet se, vetëm njëri ishte në gjendje të dëshmonte  se D. L. po drejtonte autobusin në kohën e aksidentit, dhe të tjerët ishin në gjumë gjatë kësaj kohe. Zëvendës Prokurori i Shtetit të Qarkut në Slavonski Brod, Franjo Kopuniq, njoftoi dje në një deklaratë për mediat se si pjesë e hetimit të aksidentit, do të urdhërohet një ekspertizë e autobusit për të parë nëse ka pasur prishje.

Mediumi kroat duke iu referuar raportimit të Gazetës Online “Reporteri.net”, përmend edhe rastin e arrestimit të shoferit D.L më 2017 nën dyshimet për kontrabandë me drogë.

Në aksidentin tragjik në Slavonski Brod vdiqën 10 persona dhe disa nga viktimat pritet të varrosen sot. /Reporteri.net