Me shumicë votash, miratohet Ligji që ndalon pjesëmarrjen në konflikte të huaja

    Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, si rëndom ka filluar me dy pikat e përhershme në mbledhje plenare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.
    Me këtë rast, deputetët ngritën një varg çështjesh dhe shqetësime të qytetarëve, ndërsa pyetjeve parlamentare iu përgjigj kryeministri i Qeverisë, Isa Mustafa, si dhe ministrat e kabinetit qeveritar: Imet Rrahmani dhe Arban Abrashi.
    Në vijim të mbledhjes, deputetët me shumicë votash përkrahën mocionin e ngritur nga deputeti, Daut Haradinaj. Ai kërkoi që në këtë mbledhje të shqyrtohet në lexim të dytë edhe Projektligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.
    Gjatë shqyrtimit të projektligjit, të cilin e paraqiti deputeti, Daut Haradinaj, përpos përfaqësuesve të VV-së, ai është përkrahur nga grupet e tjera parlamentare.
    Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, ndërkaq, i lexoi amendamentet e këtij grupi parlamentar, por ato nuk e kishin mbështetjen e komisionit. Deputetët e VV-së, po ashtu kërkuan mocion që amendamentet e tyre (9 sosh), të shqyrtohen në mbledhje, ndonëse nuk ishin respektuar afatet procedurale për të paraqitur amendamente.
    Pas kësaj, mbledhja është ndërprerë, ndërsa lidhur me këtë deputetët do të marrin vendim pas pauzës.
    Hidhet poshtë mocioni VV-së
    Pas pauzës, mbledhja ka vijuar nën kryesimin e nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti, i cili e hodhi në votim mocionin e VV-së, ndërkaq, deputetët me shumicë votash u deklaruan kundër këtij propozimi.
    Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e projektligjit, i cila me shumicë votash, 60 për, 17 kundër dhe 2 abstenime, u përkrah nga deputetët.
    Në vijim, deputetët shqyrtuan kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2015.
    Raportin dhe rekomandimet lidhur me të i paraqiti kryetari i Kosmionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani. Ai tha se taksa operacionale e fondit parashihet të jetë 0,085 %, ndërsa taksa investive 0,40.
    Pas deklarimit nga ana e shefave të grupeve parlamentare, si dhe debatit të zhvilluar lidhur me këtë fond, deputetët me shumicë votash e miratuan kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2015.
    Në vijim, deputetët zgjodhën nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Nënkryetari i ri nga radhët e këtij grupi parlamentar u zgjodh deputetja, Aida Derguti, e cila do të zëvendësojë nënkryetarin e deri tashëm të këtij Grupi Parlamentar, Glauk Konjufca. Me këtë rast, deputeti Konjufca, sqaroi se, për shkak të angazhimit të tij në krye të Grupit Parlamentar të VV-së, ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit.
    Pas kësaj, Kuvendi procedoi me zgjedhjen e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media.
    Propozimet e Komisionit Ad hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media, i paraqiti deputetja, Xhevahire Izmaku, e cila njoftoi se të propozuarit e këtij Komisioni nga komuniteti serb janë: Milena Xheriq dhe Jellena Simiq, ndërsa nga komunitetet e tjera pakicë, kandidatët: Sadija Nikshiq e Mejdi Sali.
    Pas votimit të fshehtë, Komisioni Votues konstatoi se nga 74 deputetë të pranishëm, Jellena Simiq ka arritur të sigurojë numrin më të madh të votave (66), ndërsa, Mejdi Sali, (51) vota të deputetëve.
    Mandati i anëtarëve të rinj në Komisionin e Pavarur për Media, do të jetë tre vjeçar.