Se mrekullitë janë të mundura në natyrë e dëshmon më së miri një liqen në Kinë, i cili ishte tharë i tëri 300 vite më parë, por në të cilin ka filluar të rikthehet uji.

Në fakt uji është rikthyer në liqenin në afërsi të qytetit Dunhuang në veriperëndim të provincën kineze Gansu, dhe atë falë një projekti lokal për mbrojtjen e ujit.

Projekti përfshin devijimin e rrjedhave të ujit dhe ruajtjen e biodiversitetit në këtë zonë. Aty befasisht ka filluar të rikthehet vegjetacioni në ish-shkretëtirën.

Sipas ekspertëve është një shenjë e mirë për pjesën tjetër të botës së gjallë përreth liqenit, që dikur ishte shumë afër lumit Sula.

Uji së pari u rikthye rastësisht në liqenin e tharë në vitin 2017 dhe më pas në vitin 2018. Falë reshjeve të mëdha të shiut dhe mbushjes së vazhdueshme të burimeve të ujit, deri më tani rreth 20 specie të egra janë vërejtur rreth liqenit.