Me iniciativë të Veselit, PDK shpërndau sot qindra pako ushqimore në veri të Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës ka ndërmarr aksion dhe ka shpërndarë sot qindra pako me ushqim e gjëra eseciale tek banorët e katër komunave në veri të Kosovës.

Ky aksion humanitar i PDK-së erdhi pak ditë pasi lideri i kësaj partie, Kadri Veseli, vizitoi qytetarët shqiptarë që kanë mbetur të izoluar në veri si pasojë e vendimeve të Qeverisë së Serbisë me orë policore e karantinim.

Veseli ka falënderuar aktivistët dhe sinpatizantët e PDK që i janë bashkuar në këtë aksion humanitar.

Ai ka shkruar në faqen e tij në Facebook se javën e ardhshme do të miratohet në Kuvend propozimi i PDK për pakon emergjente prej 320 milionë euro për tu dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve dhe bizneseve në përballje me pasojat e pandemisë coronavirus.

Deklarata e plotë e Kadri Veselit:

Gjatë vizitës që bëra në komunat e veriut të Kosovës, pashë një situatë të dhimbshme të qindra familjeve shqiptare që kishin mbetur të izoluara dhe që ishin në panik për situatën. Nga njëra anë ata përballeshin me gjendjen e jashtëzakonshme të vendosur prej Beogradit në vendbanimet e tyre, e nga ana tjetër, shikonin qeverinë e shkarkuar të Kosovës që vepronte pa asnjë transparencë duke heshtur e miratuar kontrollin e veriut prej qeverisë së Serbisë.

Për më tepër, izolimi gjeografik dhe bllokimi prej orës policore të imponuar prej Serbisë e kishte bërë të rëndë gjendjen e tyre duke iu shkaktuar mungesë të ushqimeve dhe nevojave të tjera elementare. Prandaj, menjëherë kam iniciuar një organizim vullnetar humanitar me anëtarë dhe simpatizantë të PDK-së për të shpërndarë qindra pako të mbushura me ushqime dhe produkte të tjera esenciale tek shqiptarët e katër komunave të veriut që qëveria e Prishtinës i ka lënë në dorë të Beogradit.

Qytetarët tanë nuk do të mbeten asnjëherë pa mbështetje pavarësisht se qeveria është vonuar shumë tu dalë në ndihmë në këtë kohë pandemie. Prandaj kemi marrë iniciativën që të martën e javës së ardhshme ta mbajmë seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për të miratuar pakon emergjente prej 320 milionë euro.

Kuvendi i Kosovës, që është institucioni më i rëndësishëm i demokracisë sonë sepse përfaqëson zërin e popullit, nuk do të qëndrojë duarkryq. Paketa që deputetët do të miratojnë ka për të ndihmuar të gjitha kategoritë e prekura nga situata apo që janë më në nevojë. Ndërkaq ju lus të gjithëve që të qëndroni në shtëpi dhe t’u përmbaheni rekomandimeve shëndetësore. Vetëm të bashkuar do të mund ta tejkalojmë këtë sfidë!

- Advertisement -

MË TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com