Të enjten, më 24 tetor, Prokuroria Themelore në Prizren ka publikuar konkluzionet e ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, për rastin e Astrit Deharit, i cili kishte vdekur më 5 nëntor 2016, teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, në gusht të vitit 2016. Nga të gjeturat e këtij raporti, thuhet se bazuar në prova është pak e mundshme që Astrit Dehari të ketë bërë vetëvrasje.

Gentiana Hasani

Por, mjeku ligjor, Flamur Blakaj, i cili kishte marrë pjesë në autopsinë e Astrit Deharit bashkë me Naim Halitin dhe Musa Gashin, thotë se raporti i tyre në pjesën dërmuese është i njëjtë me atë të mjekëve në Zvicër.

Gazeta Express ka biseduar me mjekun Blakaj rreth raportit që ata kanë kryer. Ai ka sqaruar se mjekët ligjorë kosovarë, asnjëherë nuk kanë deklaruar se Dehari ka kryer vetëvrasje apo është vrarë. Ai thotë se puna nga ta është kryer në mënyrën më profesionale.

“Ju e keni raportin e autopsisë. Mjeku ligjor nuk del me deklarata. Ne në raport të autopsisë nuk kemi deklaru as që është vetëvrasje e as vrasje. Ne e kemi kry punën kur është dashur në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka deklaruar Blakaj.

Sipas tij, raporti që e kishin përpiluar ata për rastin Dehari në vitin 2016 përputhet në pjesën dërmuese me raportin e marrë nga Lozana në tetor të këtij viti.

“Mendimi i tyre dhe i yni përputhen në pjesën dërmuese”, thotë Blakaj duke mos dashur të japë deklarata të tjera rreth kësaj çështjeje.

E më 24 tetor, në 10:30, raporti i ekspertizës në gjuhën frënge dhe në gjuhën shqipe u është dorëzuar familjes Dehari dhe përfaqësuesit të tyre ligjor, raporton Express.

Sipas Prokurorisë, në raportin e ekspertizës konstatohet se “hipoteza e një vetëvrasjeje e Astritit përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh”.

“Nga ajo çfarë u tha, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së z. DEHARI Astrit. Ekipet tona dhe laboratorët tonë janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen”, thuhet në raport i cili, sipas njohësve të gjuhës frënge ka mangësi të mëdha në përkthim.

Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria konfirmon se do të vazhdojë hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Me këtë konstatim, Prokuroria e kthen rastin në hetim, pas përfundimeve të mëparshme të prokurorisë se bëhej fjalë për vetëvrasje.

Megjithëkëtë, raporti i ardhur nga Zvicra nuk konstaton askund se Astrit Dehari është vrarë, s’tregon nga kush është vrarë dhe as si është vrarë, por kërkon që edhe kjo pistë të hetohet për të zbardhur krejtësisht të vërtetën.

“Ashtu siç është thënë në ekspertizën tonë E180001, ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. Dehari Astrit. Në fakt, hipoteza e një vetëvrasje e z. Dehari Astrit përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh”, thuhet në konkluzionin e ekspertizës së ardhur nga Zvicra.

Avokati dhe Familja e Deharit e kanë interpretuar ekspertizën duke thënë se ajo vërteton se Astriti është vrarë.

Astrit Dehari ishte arrestuar fillimisht si i dyshuar për sulm terrorist mbi Kuvendin e Kosovës bashkë me disa anëtarë tjerë të Vetëvendosjes. Ka vdekur 78 ditë pasi ishte arrestuar derisa ishte në paraburgim në Burgun e Prizrenit. Rasti i anëtarëve të VV-së është kthyer në rigjykim por ende s’është caktuar data.