Me 9 tetor dëshmon vajza nga Drenasi që dyshohet se u përdhunua nga mësuesi, polici dhe avokati

Me nëntë tetor pritet ta vazhdoj dëshminë e saj para gjykatës vajza nga Drenasi e cila dyshohet se ishte keqpërdorur seksualisht nga mësuesi i saj sa ishte e mitur, e më pas edhe nga një hetues policor, tek i cili kishte shkuar për ta raportuar rastin në Stacionin Policor të këtij qyteti.

Në këtë rast ishte i përfshirë edhe avokati mbrojtës i viktimës i cili akuzohet për keqpërdorim seksual ndaj saj.

Këtë e ka konfirmuar për gazetën Objektiv, avokati mbrojtës i zyrtarit policor V.V, Tahir Rrecaj cili tha se seancat lidhur me këtë rast janë shtyrë për shkak të pandemisë.

“Po është caktuar seanca e radhës për datën nëntë tetor, ka qenë e caktuar edhe më herët, por u pat shtyrë për shkak të COVID-19. E dëmtuara ka më dëshmu se pati filluar dëshminë, por nuk pati arrit me përfundu”, tha Rrecaj.

Rrecaj tha se i klienti i tij është duke u mbrojtur në liri dhe pret që ai të dalë i pafajshëm.

“Tash i mbrojturi im është duke u mbrojt në liri . Ne konsiderojmë që nuk ka prova, por gjykata e vendos për ketë”, theksoi Rrecaj.

Ndërkohë, nga ky rast është përjashtuar prokurori i rastit, Ruhan Salihu me kërkesë të palës mbrojtëse.

“Unë atë aktakuzë nuk e përfaqësoj pasi kanë kërkuar përjashtim të nga ky rast dhe nuk kam çka të them”, potencoi Salihu.

Për këtë rast nuk ka dashur të flasë as ish-avokati mbrojtës, i vajzës Gazmend Halilaj i cili poashtu akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës për “Keqpërdorim seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin”.

Në fund të muajit tetor, të vitit të kaluar Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, ka ngritur aktakuzë, kundër gjashtë të pandehurve me inicialet Sh.Gj., V.V., G.H., F.C., I.R., dhe H.H., për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin”, “Nxitja e akteve seksuale me premtim të rrejshëm të martesës”, “Shtytja në ndërprerjen e palejuar e shtatzënësisë” dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale”.

Me akuzë janë të ngarkuar:  Shkëlzen Xhekaj, 40 vjeç, profesor i lëndës Teknologji Informative në shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Drenas, Vesel Veseli, 49 vjeç, Rreshter Policor në Stacionin Policor Drenas, Gazmend Halilaj, 37 vjeç, avokat, Fatmir Caraku, 59 vjeç, profesor i Artit Figurativ, Ibrahim Rexhepi, 59 vjeç, profesor i lëndës Edukatë Qytetare në shkollën e mesme në Drenas dhe punëtori i Qendrës për Punë Sociale Hysen Hoxha, 58 vjeç.

E lidhur me këtë dhunim dhe keqpërdorim seksual të një të miture, pati edhe protesta në Prishtinë e Drenas.

Edhe Kuvendi i Kosovës pati mbajt seancë të jashtëzakonshme lidhur me ngacmimin seksual, përdhunimin dhe kryerjen e abortit të paligjshëm ndaj të miturës në Drenas.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT