MD: Nuk kemi pranuar asnjë kërkesë për ligjin Anti-Mafia

Ministria e Drejtësisë përmes zyrës së saj për informim të saj ka thënë se kësaj ministrie nuk ka ardhur asnjë iniciativë nga ana e deputetëve për të proceduar Ligjin Anti-Mafia në Kuvendin e Kosovës.

Sipas kësaj ministrie, Kosova tashmë ka ligjin për Kompetenca të Zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, dhe ky ligj mbulon mjaft mirë të gjitha ato vepra që konsiderohen si vepra penale.

“Duke iu referuar pyetjes tuaj lidhur me Ligjin Anti-Mafia, ju informojmë se sipas teorisë juridike-penale fjala Mafia është sinonim i organizatave kriminale. Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, respektivisht Kapitullit XXIV, neni 283, ku bëhet fjalë për krimin e organizuar, pjesëmarrja ose organizimi i grupeve te tilla është vepër penale dhe si e tillë është vepër e ndëshkueshme”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zyrës për komunikim të MD-së.

“Sa i përket kërkesës me ngulm të deputeteve, Ligji Nr. 04/l-025 për nisma legjislative në nenin 8 përcakton; Së paku gjashtë (6) deputetë të Kuvendit kanë të drejtë të nismës për të propozuar ligje sipas mënyrës së përcaktuar me Rregulloren e Punës së Kuvendit. Deri tani ne nuk kemi pasur kërkesë specifike për këtë çështje, dhe Ligji për kompetenca e mbulon aspektin substancial dhe përmbajtjesor të kësaj fushe”, thuhet më tej në njoftimin e MD-së.

Ditë më parë, në një prononcim dhënë KosovaPressit, deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu pati thënë se gjatë javëve në vijim grupi i saj parlamentar do të dërgojë në Kuvend projektligjin Anti-Mafia, projektligj ky i kërkuar tash e sa koha nga opozita dhe shoqëria civile.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT