MD ka hartuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal

    Ministria e Drejtësisë në vitin 2012 ka hartuar Kodin Penal të Republikës së Kosovës Nr. 04/L-082, ku prej risive të shumta që janë përfshirë në kod, kanë qenë edhe dispozitat ndëshkimore për veprat që ndërlidhen me korrupsionin, siç janë konflikti i interesit, mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare e vepra të tjera.
    Në kuadër të ndryshimeve në Kodin Penal në fuqi është edhe neni 437 i cili në paragrafin 1 dhe 2 përcakton:
    “1. Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, dhe i cili nuk bën një gjë të tillë, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet. Vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni konsiderohet se është kryer kur deklarata nuk paraqitet brenda afatit për paraqitjen e deklaratës.
    2. Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili falsifikon ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.”
    Me rastin e miratimit të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/l-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, synimi i të cilit ka qenë harmonizimi me Kodin Penal, nga ana e deputetëve është diskutuar se në Kodin Penal në fuqi tek nenin 437 në paragrafin 1 dhe 2 mungon qëllimi i fshehjes së pasurisë si element përbërës i kësaj vepre penale.
    Andaj, me qëllim të eliminimit të kësaj mangësie në Kodin Penal në fuqi, Ministria e Drejtësisë ka përgatitë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal gjegjësisht nenin 437 paragrafët 1 dhe 2, duke e paraparë që qëllimi i përfshirjes së pasurisë të jetë element i kësaj vepre penale.
    Me anë të këtij projektligji kategoria e zyrtarëve që kanë për obligim sipas ligjit deklarimin e pasurisë, e të cilët për çfarëdo mosdeklarimi, apo edhe deklarim jo të saktë, i cili bëhet si rezultat i ndonjë lëshimi apo gabimi eventual, e që nuk ka për qellim fshehjen e pasurisë, kategoria e këtyre zyrtarëve të mos jenë subjekt i ndjekjes penale.