Ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, qëndroi për vizitë njëditore në Kosovë, meqë u lirua përkohësisht nga Gjykata Speciale, pas rastit të vdekjes së babait të tij Fazliut.

Megjithatë në dokumentet e publikuara nga Dhomat e Specializuara, thuhet se mbrojtja e Kadri Veselit, kishte kërkuar në panelin kompetent që ish-kreu i UÇK-së të qëndrojë në Kosovë për shtatë ditë, njofton Klan Kosova.

”Mbrojtja për z. Kadri Veseli kërkon që z, Veseli t’i lejohet një vizitë e menjëhershme shtatë (7) ditore në Kosovë për arsye dhembshurie”, thuhet në kërkesën e nxjerrë së fundi në publik, e cila ishte bërë ditë më parë.

Megjithatë sqarohet se kjo kërkesë është depozituar në mënyrë konfidenciale për shkak se mbrojtja e Kadri Veselit, do të shpërndante paraprakisht argumentin e mundshëm që Veseli do e shfrytëzonte lejen e kësaj vizite për ndonjë gjë tjetër përveç qëllimeve familjare private.

“Nëse Gjyqtari i Procedurës Paraprake pranon kërkesën aktuale, Z. Veseli do të marrë një angazhim të rreptë për të mos u angazhuar me askënd tjetër përveç me familjen e tij të ngushtë’’, është cituar kërkesa e kryer drejt panelit kompetent ku kërkohej leje për lirimin e përkohshëm të Veselit.