MBPZHR-ja bënë lancimin e Pakos së Ligjeve për të Drejtat e Njeriut

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përkatësisht Njësia për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe të Drejtat e Njeriut në mbështetje të Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të MBPZHR-së, Kapllan Halimit, në ambientet e hotel “Amazona” ka bërë lancimin e Pakos së ligjeve për të Drejtat e Njeriut.

Në këtë takim të kryesuar nga Koordinatorja për të Drejta të Njeriut në MBPZHR, Emine Kelmendi, morën pjesë edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, Kryetarja e Komisionit Parlamentar për të Drejta të Njeriut, Barazi Gjinore dhe Persona të Pagjetur, Duda Balje, Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në ZKM, Habit Hajredini, si dhe palë tjera të interesit të cilat kontribuuan me rekomandime të ndryshme që rrjedhin nga kjo pako.

Me aprovimin e pakove të ligjeve nga fusha e të drejtave të njeriut, siç është Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ligji për Avokatin e Popullit dhe Ligji për Barazinë Gjinore, është kompletuar dhe është avancuar dukshëm korniza ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në MBPZHR.

“Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme dhe të pacenueshme, si dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës, të cilat garantohen me ligje dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ne si institucion jemi plotësisht të vetëdijshëm se zbatimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut është vendimtar për të siguruar demokracinë dhe sundimin e rendit dhe ligjit në vend, andaj edhe qeverisja e lirë, demokracia e mirëfilltë dhe sundimi i ligjit ndërlidhen ngushtë me sigurimin, respektimin, mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të njeriut”, theksoi në fillim të këtij takimi, znj. Kelmendi.