Mbi 31 mijë automjete janë importuar në Kosovë që nga viti 2015 (VIDEO)

Mbi 31 mijë automjete janë importuar në Kosovë që nga viti 2015 kur ishte lejuar importi i veturave me vjetërsi të pakufishme. Nga to, shumica apo 19 mijë e 587 janë më të vjetra se 10 vjet. Kjo periudhë është shfrytëzuar edhe nga bizneset, raporton KTV.


Sa vetura të vjetra u importuan që nga viti 2015 by kohanet

Veturat e vjetra konsiderohen si një nga ndotësit kryesorë të ajrit.

Por që nga 2015-a, kur ishte marrë vendim për lejimin e importit të automjeteve me vjetërsi të pakufishme, në Kosovë kanë hyrë mbi 31 mijë automjete.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, prej tyre, 19 mijë e 567 automjete janë me vit të prodhimit më të vjetër se 2006-a.

Ndërsa automjeti më i vjetër i importuar është një traktor i vitit 1958.

Për dy vjet të mosekzistimit të kufizimit të importit përmes vjetërsisë, Kosova ka importuar automjete nga më shumë se 60 shtete.

Zvirca është vendi i preferuar për blerjen e automjeteve nga kosovarët, prej nga, gjatë kësaj periudhe, janë importuar 10 mijë e 717 automjete

Tutje vijnë Gjermania me 9 mijë e 948 sosh, Italia – 2 mijë e 157, Austria – 1 mijë e 293 dhe Franca – 959 automjete.

Kjo periudhë është shfrytëzuar edhe nga bizneset për të blerë automjetet për punë.

142 autobusë janë importuar gjatë kësaj kohe, një pjesë e tyre të vjetër.

206 kombibusë dhe minibusë të llojeve të ndryshme, e po ashtu 3 mijë e 242 furgonë.

Pos tyre, janë importuar edhe 664 automjete të llojit pikap.

595 kamionë të llojeve të ndryshme dhe 1092 kamioneta.

96 autobetoniera dhe 28 autopompa betoni.

307 gjysmë-rimorkio të llojeve të ndryshme.

E për dy vjet, janë importuar edhe 294 traktorë të llojeve të ndryshme.

Megjithatë, nga totali prej mbi 31 mijë automjetesh të importuara për dy vjet, numrin më të madh të importit e arrijnë veturat – 21 mijë e 658.

Nga janari i vitit 2018, do të ndalohet importi i veturave më të vjetra se 10 vjet.

Qytetarët i shohin dy anë të këtij vendimi, duke thënë se ndalesa është e mirë për ambientin, por se kosto e lartë zhdoganimit po ua pamundëson blerjen e veturave të reja.

Ne këtë periudhë kohore, janë importuar edhe 14 mijë vetura që janë më të reja se 10 vjet.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT