Mbeturina të ngurta mbi varrezat e Krushës së Madhe (Video)

Edhe pse varrezat e dëshmorëve në fshatin Krushë e Madhe janë duke u rregulluar, familjarët nuk janë të kënaqur me mënyrën se si po trajtohen të vrarët gjatë luftës nga punëtorët e kompanisë që po kryen punët.
Albatrit Imeri që ka të vrarë motrën në masakrën e Krushës, thotë se varrezat ku prehen trupat e të vdekurve janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore nga punëtorët që po rregullojnë ato.
“Ne si familjarë kur kemi ardhë pak para përvjetorit m’i përgatit varrezat, kemi pa që ata i kanë trajtuar në një mënyrë thuaj çnjerëzore. Jo ai respekti këta që ata e meritojnë, që kanë rënë për këtë ditë që na sot të jemi të lirë. Kanë hedhur mbeturina të ndryshme, nuk kanë kryer punimet, kështu që nuk jemi fort të kënaqur,” thotë Imeri.
Ai shpjegon se mbetjet e materialeve të ngurta të një varri të rregulluar janë bartur te varri ku ende duhej të punohej.
“Pllakat paraprake që kanë vendosur, ato mbeturina që kanë qenë aty, i kanë hedhur te ky varri tjetër, pastaj i kanë vendosur atë pllakën me emër. Kjo thjesht neglizhencë e punëtorit, për t’i grumbulluar të gjitha këto në një depo diku tjetër, i kanë hedhur te varri pasues. Thjesht po ngjan si një kontejner mbeturinash varri, duke e ditur që është varr dëshmorësh,” sqaron Imeri ankesat e tij.
Për këtë dukuri ka njohuri edhe kryetari i fshatit Kadri Devolla.
“Kanë qitur disa pjesë të granitit, por nuk është bërllok, është granit. Ne ia kemi tërhequr vërejtjen dhe shpresoj që ky defekt teknik ka me u eliminuar,” thotë Devolla.
Edhe përfaqësues të kompanisë prishtinase “Ileaa-Gr” që po kryen punët në varrezat e Krushës e pranojnë se hodhën materiale që tepruan nëpër varret e parregulluara.
“Është e vërtetë kjo që po thoni, por ka qenë një pakujdesi e punëtorëve të cilët për të mos i dëmtuar varrezat tjera kane bërë këtë veprim, por e njëjta është rregulluar, pasi punëtorët i kanë pastruar të gjitha,” thotë Ilir Veliqi nga “Ileaa-Gr”.
Veliqi tregon se për të vrarët e Krushës së Madhe edhe pse nuk ka qenë e paraparë në projekt, kanë shtruar varrezat me zhavorr në mënyrë që të mos dëmtohen pllakat e tyre.
Edhe pse kompleksi i varrezave pritet të përurohet më 26 mars, në 16 vjetorin e masakrës së kryer nga forcat serbe në këtë fshat, punimet ende nuk kanë përfunduar, ndërsa kompania po mundohet t’i kryejë ato me kohë.
Më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999 në Krushë të Madhe qenë vrarë 243 persona, mbi 200 nga të cilët banorë të këtij fshati./Kallxo.com/
- Advertisement -

MË TË FUNDIT