Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës (MASHT) ka ftuar mësimdhënësit për të dhënë kontributin e tyre në arsim që të përshpejtohet sipas këtij dikasteri rruga drejt të një ardhme më të mirë për fëmijët e Kosovës.
“Sot është një ditë e veçantë për arsimin kombëtar, 7 Marsi – Dita e Mësuesit. Është dita kur ne kujtojmë rrugën e gjatë dhe të vështirë, të cilën e bënë mësimdhënësit tanë për të mbrojtur mësimin në gjuhën shqipe, për të edukuar dhe arsimuar breza të tërë”, ka thënë ministri i arsimit, Arsim Bajrami në deklaratën e tij uruese për mësimdhënësit.
Bajrami ka thënë se arsimi është sfera më e rëndësishme e mbijetesës kombëtare dhe bartë në vete dimensionin e frymëzimit të gjeneratave për dije, dashuri dhe liri.
“Ju mësimdhënës të dashur, keni përgjegjësinë kryesore për ndërtimin e një shoqërie të arsimuar që garanton një shtet të fuqishëm.Vetëm me kontributin tuaj për mësimdhënie cilësore, ne do të mund të përshpejtojmë rrugën drejt të një ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Ju siguroj se do të jemi së bashkë me ju në këtë mision të rëndësishëm. Urime ditën e tyre të gjithë mësuesve të Kosovës! Gëzuar 7 Marsin!”, ka theksuar ministri në urimin e tij.