Masakra në Abri të Drenasit, krim i pa ndëshkuar!

Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme, forcat kriminale serbe kryen një nga masakrat më të tmerrshme gjenocidale, gjatë luftës në Kosovë 1998-1999. Në këtë ditë u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq (nga mosha 6 muajshe e deri në 94 vjeç). Nga 25 shtatori, familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’i shpëtuar sulmeve shfarosëse serbe. Një ditë më vonë (më 26 shtator, rreth orës 10 paradite), aty kishte depërtuar këmbësoria serbe. Me këtë rast ishin dëgjuar të shtëna armësh e britma njerëzish. Të gjithë ishin qëlluar në kokë nga afërsia dhe ishin masakruar derisa po përpiqeshin të iknin nga sulmi. Trupat e të ekzekutuarve tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane. Luljeta Deliu, që kishte dy muaj shtatzënë, barkun e kishte të prerë plotësisht. Pajazit Deliu është gjetur me fyt të prerë dhe një pjesë të trurit të nxjerrë jashtë dhe të vendosur pranë tij. Foshnja gjashtëjavëshe, Diturie Imer Deliu, u gjet e gjallë, e tëra e mbuluar në gjak në krahërorin e së ëmës së masakruar. Kjo foshnje, që i mbijetoi masakrës, vdiq më 19 nëntor ’98, si pasojë e kushteve të rënda. Ndërsa, më 4 tetor, pak më larg vendit të masakrës, u gjetën dy viktima të masakruara të kësaj familjeje: Antigona Hysen Deliu (14) dhe Mihane Hysen Deliu (16), të cilat para se të masakroheshin ishin dhunuar. Abria e Epërme shtrihet rreth 11 km në perëndim të Drenasit(ish-Gllogocit).

Territori i komunës së Drenasit (ish-Gllogocit) shtrihet në pjesën e Kosovës qendrore. Sipërfaqja e gjithëmbarshme e kësaj komune përfshin 290 km2 apo 2.66 përqind të sipërfaqese së territorit të Kosovës. Sipas vlerësimeve të fundit, Komuna e Drenasit ka mbi 73.000 banorë, 42 vendbanime: 36 fshatra, 2 qendrave urbane, 3 lokalitete dhe qytezën e Drenasit. Popullatën e Drenasit e përbëjnë 51.3% meshkuj dhe 48,7% femra, ekskluzivisht të nacionalitetit Shqiptar. Gjithë kjo trevë, është e rrethuar me Malet e Berishës, Kasmaqit, Qyqavicës, Goleshit dhe Lipovicës (ish-Blinajës), të cilat shtrihen në të dy anët e Luginës së lumit Drenica. Nëpër këtë komunë kalon edhe lumi Vërbicë, dhe uji i tyre shfrytëzohet për nevojat e ujitjes së tokave bujqësore e për nevoja të tjera në kuadër të sistemit të ujitjes “Ibër”. Kjo komunë, lidhet më pjesët tjera të Kosovës më anë të hekurudhës Fushë Kosovë – Pejë dhe rrugës magjistrale Prishtinë – Bushat (ish-Komoran) – Pejë dhe rrugët ndërkomunale Shalë – Lipjan dhe Bushat-Drenas-Skënderaj. Në këtë komunë është miniera dhe shkritorja e “Feronikelit”, si dhe punojnë disa gurore. (1)

Vrasjet, ekzekutimet, masakrat dhe dëmet e shkaktuara gjatë luftës 1998-1999 në Komunën e Drenasit

Në bazë të dëshmive të grumbulluara nga burime të ndryshme, në periudhën janar 1998 – 12 qershor 1999, nga forcat ushtarako – policore dhe paramilitare serbe, në Komunën e Drenasit “u vranë 707 shqiptarë, prej tyre 503 meshkuj dhe 114 femra dhe kanë rënë 199 dëshmorë, prej tyre 5 femra”. (2). Nga të dhënat e KMDLNJ-së, del se në këtë komunë “u bënë 7 masakra kolektive, dhe u gjetën mbi 16 varreza masive. Janë evidencuar 75 të zhdukur, 320 të plagosur dhe 252 të burgosur. Pa njërin prind kanë mbetur 187 fëmijë, ndërsa pa të dy prindërit 89 fëmijë. Gjithashtu, janë dëmtuar dhe shaktërruar 8.142 shtëpi (prej tyre 2.643 tërësisht), ndërsa prej 32 objekteve shkollore, që ishin para luftës vetëm një ka shpëtuar pa u shkatërruar. Janë djegur 7 biblioteka me 1.220 000 tituj librash. (1) Janë shkatërruar shumë objekte shëndetësore dhe fetare si dhe mijëra objekte të tjera tregtare, në sektorin privat dhe në atë shoqëror.

Në komunën e Drenasit, forcat kriminale serbe (gjatë viteve 1998 – 1999) kryen masakrat më të tmerrshme, të cilat tronditën opinionin publik. U vranë, u masakruan dhe u dogjën pa mëshirë shumë civilë shqiptarë të paarmatosur, kryesisht pleq, gra e fëmijë. Me këtë rast po i veçojmë disa masakra: Më 28 shkurt dhe 1 mars 1998 në Likoshan, janë vrarë e masakruar 10 anëtarë të familjes Ahmeti dhe një mysafir. Ndërkaq, gjatë viteve 1998 – 1999 janë vrarë 34 banorë civilë dhe kanë rënë dëshmorë katër ushtarë të UҪK-së, ndërsa janë të zhdukur tre banorë të tjerë. (3)

Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme (në lagjen Deliu), forcat kriminale serbe kryen një nga masakrat më të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë. Masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq (nga mosha 6 muajshe e deri në 94 vjeç)

Në prill 1999, forcat ushtarako – policore dhe paramilitare serbe vranë e masakruan qindra shqiptarë të kësaj komune.

Më 12 prill 1999, në fshatitn Negroc u vranë 20 civilë shqiptarë. Më 14 prill 1999 në Vasilevë, dhe më 16 prill në Gllanasellë dhe në fshatrat e Qyqavicës, u vranë e masakruan shumë civilë shqiptarë, kryesisht të moshuar. (1)

Më 17 prill 1999 në Ҫikatovë të Vjetër janë vrarë e masakruar 128 shqiptarë të këtij fshati dhe të fshatrave të tjera. Po atë ditë në fshatin Poklek, në shtëpinë e Sinan Muçollit (në dhomën prej 20 m2), u vranë me breshëri automatiku, u masakruan dhe në fund u dogjën 53 shqiptarë, (në mesin e tyre 23 fëmijë të moshës 6 muaj deri në 14 vjeç), pastaj 12 vajza, 14 gra, 2 burra dhe 2 djemë. Në këtë masakër u vranë 33 anëtarë të familjes Muçolli, 4 anëtarë të familjes Caraku nga Dobrasheci, 1 anëtar i familjes Hoxha nga Karrotica e Epërme etj. Pas dy ditëve, forcat kriminale serbe u kthyen në vendin e krimit dhe sërish ua japin zjarrin kufomave me goma, plastikë dhe lëndë djegëse me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit të kryer. Më 18 prill 1999, forca të shumta serbe sulmuan malet e Berishës, ku ishin strehuar mbi 70.000 civilë shqiptarë dhe ku gjendej Shtabi i Përgjithshëm i UҪK-së dhe Radio “Kosova e Lirë”. (1/2)

Më 30 prill 1999, forcat kriminale serbe gjatë një sulmi në fshatrat Vërboc e Shtuticë vranë e masakruan mizorisht mbi 166 civilë shqiptarë. Atë ditë në Vërboc u vranë 96 civilë( 65 nga Vërboci dhe 31 veta nga fshatrat e tjera), kurse në Shtuticë u vranë mbi 70 civilë shqiptarë (prej tyre 33 ishin nga Shtutica) (1)

SI NDODHI MASAKRA NË ABRI TË EPËRME (MË 26 SHTATOR 1998)

Abria e Epërme shtrihet rreth 11 km në perëndim të Drenasit. Është ndër fshatrat me territor më të madh në Drenicë dhe gjendet në brigjet që ndajnë rrafshin e Dukagjinit me rrafshnaltën e Drenicës, në trekëndëshin e territorit të komunave: Klinë, Skënderaj dhe Drenas. Abria e Epërme është vendbanim kodrinor, i tipit të shpërndarë, dhe i ndarë në lagje. Për më tepër Abria është ndarë në dy pjesë dhe bashkon territoret e komunave që tërsisht i takojnë regjionit të Drenicës; Drenasin dhe Skënderajn. (4)

Sipas shenimeve të Kuvendit Komunal, ky vendbanim kishte 391 shtëpi (215 familje) me 2450 banorë. Gjatë luftës janë shkatërruar 370 shtëpi (160 shtëpi të kategorisë III – IV dhe 210 shtëpi të kategorisë V) si dhe janë shkatërruar: shkolla me tërë dokumentacionin, ambulanca dhe pjesërisht xhamia e fshatit. Gjatë luftës në Kosovë 1998 – 1999, forcat kriminale serbe, në Abri të Epërme – vranë e masakruan 59 shqiptarë (prej moshës 6 muaj e deri në 94 vjeç) ndërsa në altarin e lirisë ranë 14 dëshmorë. (2) Vetëm më 26 shtator 1998, u vranë e masakruan mizorisht 23 anëtarë të familjes Deliu.

Nga 25 shtatori, familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’u shpëtuar sulmeve shfarosëse serbe. Një ditë më vonë (më 26 shtator, rreth orës 10 paradite), aty kishte depërtuar këmbësoria serbe. Të shtëna armësh e britma njerëzish ishin dëgjuar pastaj. Të gjithë ishin qëlluar në kokë nga afërsia dhe ishin masakruar derisa po përpiqeshin të iknin nga sulmi. Trupat e të ekzekutuarve tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane. Luljetë Deliu, që kishte dy muaj shtatzënë, barkun e kishte të prerë plotësisht. Pajazit Deliu është gjetur me fyt të prerë dhe një pjesë të trurit të nxjerrë jashtë dhe të vendosur pranë tij. Foshnja gjashtëjavëshe, Diturie Imer Deliu, u gjet e gjallë, e tëra e mbuluar në gjak në krahërorin e së ëmës së masakruar. Kjo foshnje, që i mbijetoi masakrës, vdiq më 19 nëntor ’98, si pasojë e kushteve të rënda. Ndërsa, më 4 tetor, pak më larg vendit të masakrës, u gjetën dy viktima të masakruara të kësaj familjeje: Antigona Hysen Deliu (14) dhe Mihane Hysen Deliu (16), të cilat para se të masakroheshin ishin dhunuar. (5)

YMER DELIU – NË KËRKIM TË FAMILJES SË MASAKRUAR!

Dita e 26 shtatorit 1998 ishte ditë me shi e mjegull jo aq të dendur. Unë isha i pozicionuar në lagjen Strumcaku, me disa shokë ushtarë në largësi 1500 – 2000 m. Vëzhgonim forcat serbe kur rreth orës 11:00 hynë në lagjen Deliu, e cila tani ishte e boshatisur. Pasi e demoluan ia vunë zjarrin dhe u larguan me pak krisma kryesisht të automatikëve dhe morën rrugën në drejtim të lagjes së Mulliqëve dhe Hysenajve Pasi unë me shokë ishim në distancë të madhe dhe për shkak të shiut e të mjegullës nuk mund të dallonim veprimet e tyre. E vetmja gjë që tregonte prezencën e forcave serbe ishte zhurma e shkrepjeve të armëve dhe e makinerisë në lëvizje – poashtu edhe e tre helikopterëve që vazhdimisht qarkullonin mbi fshat e rrethinë. Isha i merakosur pasi edhe familja ime ishte e strehuar në pyll në mes të lagjeve Deliu e Hysenaj. Edhe kjo ishte një arsye që natën e 26 – 27 shtatorit, rreth orës 02:00 pas mesnatës vendosa të shkoj në lagje edhe pse rruga ishte me rreziqe të mëdha.

Nga Lagja e Strumcakëve u nisëm bashkë me Afrim Hysenajn drejt lagjës Deliu. Kur iu afruam rrugës Abri-Likoc pamë një tendë najlloni, që në atë mëngjes të hershëm e plotë mjegull na u duk sikur tankë armike. Afrimi më propozoi të kthehemi, por isha i vendosur të vazhdoj rrugën. E luta atë të kthehej dhe të mos rrezikojë asgjë shkaku im, por ai nuk më la vetëm, kur e pa vendosmërinë time që me çdo kusht të vazhdoj rrugën. E ndërruam pak drejtimin dhe nja njëqind metra para se të ndahemi me Afrimin vërejmë një person në pyell. E detyrojmë të ndalet. Ishte kushëriri im Bashkim Deliu, i paarmatosur dhe me të meta fizike (çalon në njërën këmbë). Ai kishte qëndruar në lagjë, shkaku i babait të vjetër dhe të paaftë për të lëvizur nga shtëpia. Tash kisha shoqëruesin dhe Afrimit i thashë të kthehet te shokët. Bashkë me Bashkimin vazhduam rrugën drejt lagjës sonë. Para se të hyjmë në lagjë kemi hasur në gjurmë të shumta lufte. Përplotë gëzhoja armësh këmbësorie, por edhe topash e tankesh, sanduçe municioni të zbrasta, karikatorë fishekësh dhe të mos flasim për lloje të ndryshme ushqimesh të konzervuara, që kishin përdorur armiqtë nëpër pozicionet ku kishin qëndruar, por askund nuk pamë ndonjë trup të tyre. Ngadal po futeshim në lagjën tonë dhe atë pranë shtëpisë sime. Te dera e oborrit një kufomë seç e theu “qetësinë” time shpirtërore. Vrapoi drejt saj dhe ishte Ademi, vëllau i im. Një gurë i rëndë më rëndoi në krahëror, por u përmbajta, sepse “duhej kursyer veten nga të papriturat që do të vijnë pastaj”! Ademi ishte qëlluar me rafale automatiku me tre plumba në kokë ndërsa të tjerët e kishin qëlluar në krahror. Afër kufomës gjetëm 16 gëzhoja të automatit, ndërsa afër derës së odës gjetëm edhe një gëzhojë. Kufomën e tij e futa brenda oborrit, sepse filloi të bjerë shi e nuk mund ta lija vëllaun jashtë. Bashkë me Bashkimin nisemi dretj shtëpisë së tij të bërë shkrumb e hi ashtu si të gjitha shtëpitë tjera. E brenda në shtëpi ishte djegur edhe plaku 94 vjeçar, Fazli Deliu (babai i Bashkimit). Vetëm eshtrat i dalloheshin ende nga ashti i kokës deri në gjunj, përndryshe trupi i tij ishte djegur në tërësi. Nuk prekëm asgjë dhe s’kishim as çka të bëjmë në gjendjen në të cilën ishte tash kufoma e Fazliut.

– YMER DELIU – 

Pastaj, jemi nisur drejt vendit ku ishin strehuar familjet tona dhe në rrugë hasëm në kufomën e axhës Zeçir Deliu e bërë shoshë nga plumbat. Vazhdojmë më tutje dhe diku 30 – 40 m para se të mbërrinim te tenda, hasëm në kufomën e 4-të të fqinjit Ali Deliu i shtrirë në shpinë. E kishin prerë në fyt me thikë dhe thikën i kishin vendosur në krahëror. I hoqa thikën dhe e rrotullova trupin e tij. Në kokë kishte plagë të shkaktuara nga një goditje e fortë. Kufomën e ktheva në gjendjen e mëparme dhe vazhdoj drejt tendave. Aty hasëm dy kufoma të reja (të 6-të dhe 7-të) të mixhës Pajazit dhe gruas së tij Havës.

Trupi i mixhës Pajazit ishte në tende. Në kufomën e Pajazitit nuk vërejta goditje plumbi, por koka e tij ishte çarë nga pas dhe trutë iu kishin derdhur në shtrojë pranë kufomës, brenda në tendë. Gjashtë-shtatë metra larg tendës ishte kufoma e Havës (Hava Deliu Elshani – motra e babës (halla) e Ymer Deliut – Sh.B) e cila kishte këmbën e majtë të këputur nën gju, kishte shumë plagë në trup dhe veçanarisht një plagë të madhe /të thellë/ në kokë, që ka mundur pastaj të jetë rezultat i ndonjë eksplodimi. Sido që të jetë ajo ishte tortuaruar rënd. Pasi binte shi e thërras Bashkimin të më ndihmoj për ta futur kufomën brenda në tendë, por Bashkimi si dukej kishte humbur fuqinë nga pamjet rrënçethëse që kishte parë dhe ishte trishtuar pa masë. Nuk kishte forcë të bëj asgjë. E tërhoqa zhagas kufomën deri në tendë. Pas kësaj Bashkimi më vishet për trupi dhe më lut që të ikim dhe të mos gjejmë kufomë tjetër. kështu vazhdova gjetjen e kufomave në vetmi.

Vazhdoj rrugën në kërkim të familjes sime. Personi tjetër (kufoma e 7-të) që do të takoj është Jetoni, djali im i madh! Ishte i shtrirë në krahun e djathtë dhe dorën e kishte futur nën kokë, ndërsa dorën e majtë e kishte të zgjatur. Ende i shkëlqente ora në dorë. Në atë moment m’u duk sikur po ma ofronte orën për kujtim. Pa e prekur ende trupin e shikoj orën dhe pashë se ende punonte dhe tregonte kohën 05:49 minuta. “Do ta mbaj tërë jetën këtë orë, o biri im!”, i premtova me zë.

Sipas traditës, i bie në fytyrë me fjalët: “Gjaku yt u shpërbleftë me lirinë e këtij dheu, o biri im!” Pastaj e rrotulloj dhe vërej se në anën e djathtë e kishte të thyer nofullën e poshtme dhe dhëmbët e veshin e djathtë të prerë përmes, kurse kokën e çarë në anën e djathtë, ndërsa nën krahror kishte një plagë të çelur.

Përshëndes djalin e masakruar dhe 5 – 6 metra më larg takoj kufomën e 8-të, trupin e nënëns sime – Halime. E përkëdheli si të ishte gjallë dhe nga xhepi i nxora 3 dardha që i kisha ruajtur dhe ia lash pranë gojës së hapur që ma kujtonte ofshamën e fundit të jetës së saj me shumë mundime e sakrifica, por gjithnjë e vendosur dhe e pathyer.

Nëna ishte goditur në kokë në anën e djathtë dhe në pulpe në pjesën e brendshme në këmbën e majtë. Nuk mbaron as me personin më të dashur në jetën time. Mbështetur për shpinën e nënës ishte kufoma e kunatës, Luljetës, gruaja e vëllaut Enverit. Ishte goditur në kokë, njësoj si nëna, vetëm se kjo ishte goditur në anën e majtë të kokës. Luljeta ishte në muajin e fundit të shtatëzanisë dhe motra Havë para katër pesë dite e kishte pagëzuar foshnjën e palindur Malësor ose Malësore, për të përkujtuar vuajtjet tona nëpër male. Aty afër ishte edhe kufoma e Mirit, shpiritit të Bacit – djali i vëlla Ademit, Valmir Deliu. Kishte plagë të shumta në trup dhe ishte përgjakur i tëri. “Cuclla” i kishte mbetur varur në qafë… I afrohem shoqës sime Lumnijes, që ishte e shtrirë në krahun e djathtë, ndërsa pas shpine kishte vajzën Menduhijën, kurse para vetës mbante Diturien gjashtëjavëshe. Të triat i pashë të vdekura. Së pari e rrotullova kufomën e vajzës Menduhies. E kam dashur shumë atë! Kishte dy goditje, njëra nën veshin e majtë dhe tjetra pak nën fyt. Pastaj i kap dorën Lumnijës dhe ia largoi nga Dituria. Foshnja, sikur nuk i pëlqen veprimi im dhe më bëhet sikur lëviz pakëz sytë. Përpiqet t’i hap, por nuk ia arrinë. E kap pastaj Diturien dhe e dërgoj te tenda ku qëndronte Bashkimi, duke qajtur dhe i them se fëmija është gjallë. E lus të më sjell pak qumshtë që kishin lënë kriminelët serbë përreth. Ia pastroj gojën e mbushur përplot gjak foshnjës, sigurisht ishte gjaku i derdhur i nënës së saj dhe ia ofroj qumshtin. Ajo fillon ta pijë atë. E xhvesha ashtu nëpër shi të shoh se mos kishte ndonjë plagë në trup, por jo. Ajo nuk kishte asnjë shenjë në trup. Pastaj atë do t’ia lë në prehër Bashkimit, për t’u kthyer sërish te shoqja ime, Lumnija, trupi i saj ishte dëmtuar në gojë dhe krahëror e supë të krahut. Jo fort larg qëndronte e shtrirë kunata, Mihanja, gruaja e Ademit. Ajo ishte goditur në shpinë dhe plaga ishte shumë e madhe, sa që edhe organet e brendshme duket sikur kishin dalur jashtë… Pastaj edhe dy kufoma tjera të Donjetës dhe nënës së saj Zahides. Donjeta kishte një goditje të rëndë në kokë nga pas ndërsa Zahidja, poashtu ishte goditur në kokë dhe trutë i kishte të nxjerrura jashtë… Gjashtëmbëdhjetë vdekje qëndronin rreth nesh, ndërsa gjashtë të tjera do të zbulohen më vonë: Habibi, Hyseni, Antigona, Mihanja. Pastaj Sherifi, që do të konsiderohet i zhdukur deri më 29 mars 1999. I plagosur rënd, gjatë kësaj masakre kishte ikur dhe pastaj kishte vdekur në Zabelin e Hysenit. Hajrizi do të jetë kufoma e njëzetë e dytë e kësaj masakre…Vetëm liria e vërtetë në Kosovë do të shpaguaj këtë gjak të derdhur!” – përfundon rrëfimin Ymer Deliu. (1/4)

* * *

Më 26 shtator 1998, në lagjen Deliu, të fshatit Abri e Epërme, vetëm një kilometër larg shtëpive të tyre, forcat ushtarako-policore serbe masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq (prej moshës 6 muaj deri në 94 vjeç):

- Advertisement -

MË TË FUNDIT