Qeveria e Kosovës, e cila pritet të formohet në ditën në vazhdim, po konsiderohet si “qeveri e dialogut”, e cila do të arrijë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Por njohës të rrethanave politike në vend po konsiderojnë se kjo marrëveshje nuk mund të arrihet pa “krahun e luftues”, respektivisht pa Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Fatmir Sheholli, drejtor ekzekutiv i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, thotë se dy partitë që tashmë po synojnë drejtimin e qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e kanë të pamundur ta përmbyllin marrëveshjen finale me Serbinë, pa opozitën, që në këtë rast priten të jenë dy partitë që dolën nga UÇK-ja.

“Unë konsideroj që ne pasi që kjo qeveri sipas asaj që po shohim deri më tash do të përbëhet nga LDK-ja dhe VV-ja, me një shumicë solide shqiptare është e paimagjinueshme pa opozitën kjo punë të kryhet. Pra, pa PDK-në dhe pa AAK-në është thjesht e pamundshme të arrihet. Fuqia politike dhe determinuese e ‘krahut të luftës’ është i domosdoshëm për kycjen në ‘finalen e madhe’ me Serbinë. Bile është nder që të jetë opozita aty, sepse kjo opozitë e ka bërë luftën. Nuk po e them që Kurti nuk ka bërë luftë, sepse edhe ai ka pasur sjellje të jashtëzakonshme siç e dimë të gjithë ne, por pa `PDK-në dhe AAK-në është e paimagjinueshme të arrihet një marrëveshje ligjërisht obligative e cila duhet të nënshkruhet me Serbinë”, thotë ai.

Megjithatë Sheholli beson se Kurti në cilësinë e kryeministrit, nuk do të jetë arrogant ndaj opozitës, por do të bashkëpunojë ngushtë, sidomos në “temat e mëdha”.

Sheholli ka komentuar edhe vizitën e të dërguarit special të presidentit Trump, Richard Grenell.

Thotë se sjelli mesazhe të qarta, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

Porosit liderët që t’i marrin seriozisht thirrjet e ShBA-së për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

“Unë konsideroj që ai ka sjell mesazhe shumë të qarta. Roli i ShBA-së në këtë arritje finale të marrëveshjes obligative mes Kosovës dhe Serbisë është determinues. Këtë ne duhet ta kuptojmë. Nëse nuk e kuptojmë që roli amerikan është determinues, atëherë kemi lajthitje me vetveten”, thotë Sheholli.

Edhe sa i përket Asociacionit të Komunave Serbe (AKS), Sheholli thotë se qeveria e ardhshme duhet ta merr seriozisht.

Thotë se kjo marrëveshje është obligim ndërkombëtar që Kosova duhet ta kryeje, por pa cenuar sovranitetin e vendit.

Në të kundërtën paralajmëron probleme me faktorin ndërkombëtar, duke mospërjashtuar edhe izolim dhe sanksione ndaj Kosovës.

“Nëse duam të bëhemi patriotë, ne mund të themi se nuk e pranojmë kurrë se jemi të fuqishëm. Por ai është nënshkruar dhe është dokument ndërkombëtar dhe nëse nuk e fusim në praktikë ne do të kemi probleme me faktorin ndërkombëtar, ku do të përfshihen sanksione, izolim dhe çështje tjera. Prandaj obligimet ndërkombëtare ne duhet t’i kryejmë. Kurti besoj që është i vetëdijshëm për këtë obligim ndërkombëtar. AKS-ja natyrisht që ka pretendime politike, këtu ne mund ta rrejmë veten, por ka. Dhe këtu duhet Kurti si kryeministër i ardhshëm që këto pretendime politike ai t’i minimizon ose t’i eliminon tërësisht, për arsye se këtu është roli i tij”, thotë ai.

Drejtori i IAMN-së, beson se Albin Kurti do të gjejë zgjidhje edhe për këtë temë, pa rrezikuar shtetësinë e Kosovës dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët.

“Unë mendoj se Kurti me ekipin e tij do të gjejë forma, veprime dhe plane të cilat do të jenë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që qysh ekziston Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk ka gjë të keqe në raport me AKS-në të jetë njëfarë lloji organizate joqeveritare e cila në aktivitetin e saj do t’i ketë disa parime që do të jenë humane, njerëzore dhe çështje që kanë të bëjnë me fleksibilitetin dhe jetën më të mirë të komuniteteve të tjera”, thotë ai për EO

Zgjedhjet e 6 tetorit nxorën të parën lëvizjen Vetëvendosje, e cila tashmë ka mandatin për formimin e qeverisë.

Deri më tani kjo parti ka shprehur vullnetin të bashkëqeverisë vetëm me LDK-në.