Kuvendi Komunal i Ranillugut tashmë ka vendosur. Një rrugë në këtë komunë, të banuar me serbë, do ta ketë emrin e Slobodan Milosheviqit.
Por, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka shfuqizuar këtë vendim. Kryetari i asamblesë komunale, Sasha Aleksiq, tha se asgjë nuk është definitive deri në fund të marsit. Paralajmëroi se për çdo veprim do të respektohen ligjet e Kosovës.
Një grup qytetarësh të Ranillugut ishin ata që i propozuan Kuvendit Komunal, që një rrugë këtu ta mbajë emrin “Slobodan Milosheviq”
Asamblistët e kësaj komune të banuar me serbë, kanë miratuar kërkesën por sipas kryesuesit të Kuvendit Komunal të Ranillugut, Sasha Aleksiq, ende nuk dihet nëse rruga do ta mbajë emrin e të akuzuarit për krime lufte dhe gjenocid në ish-Jugosllavi.
“Kjo është një kampanjë mediale që po zhvillohet. Mua më vjen mirë që ekipe të shumta të mediave kanë ardhur këtu. Sa i përket kësaj nuk ka asgjë, kuvendit i është dhënë propozim që ajo rrugë të emërtohet në atë mënyrë, por vendimi është kthyer për rishqyrtim dhe do të ketë një përgjigje përfundimtare deri më 31 mars”, tha Aleksiq.
Çdo vendim që do të merret me këtë datë, sipas Aleksiqit, do të bëhet në bazë të ligjeve të Kosovës.
“Unë jam përgjegjës për ta zbatuar ligjin. Vendim të komunës për emërtim nuk ka pasur. Me këtë çështje po merret komisioni përgjegjës. Propozimi ka ardhur nga qytetarët, komisioni po e shqyrton dhe nuk po e kuptoj pse po bëhet kaq kampanjë mediale.”
Qytetarët në Ranillug që duan një rrugë me emrin e Milosheviqit, kanë hezituar të flasin për këtë çështje.
As kryetari i Ranillugut, Gradimir Mikiq, nuk ka dashur të flasë. Ndërkohë në murin e shtëpisë së tij është e vendosur tabela me emrin gjeneralit Drazhan Mihajloviq i njohur si organizatori dhe ideatori i lëvizjes çetnike që luftonte për Serbinë e madhe.
Lidhur me këto zhvillime kanë reaguar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Agjencia Kadastrale e Kosovës si dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilat morën vendim që të shfuqizojnë vendimin e Kuvendit Komunal të Ranillugut, duke shtuar se në rast të mos respektimit të rekomandimeve të Agjencisë Kadastrale dhe kryetarit të Komunës, ndaj kuvendit komunal do të marrë masat përkatëse ligjore.
- Advertisement -