Majlinda anulon pjesëmarrjen në “Baku 2015”

Gjasat e Kosovës që të fitojë medalje të artë në Lojëra Evropiane janë zbehur shumë.

Të hënën është mësuar se sportistja bindshëm më e mirë në vend, Majlinda Kelmendi, nuk do të garojë në edicionin e parë të Lojërave Evropiane që mbahen në Baku të Azerbajxhanit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Xhudistja 24-vjeçare në fillim të vitit kishte pësuar një lëndim të ligamenteve të gjurit të majtë dhe në fund të janarit iu nënshtrua një operimi.

Rehabilitimi i saj ka shkuar mirë, por Kelmendi nuk do të jetë plotësisht e gatshme për muajin e ardhshëm kur mbahen Lojërat Evropiane.

Lojërat Evropiane nisin më 12 qershor e përfundojnë më 28 qershor.

Kelmendi është pritur të jetë bartëse e flamurit të Kosovës në ceremoninë hapëse, ndërsa ishte shpresa më e madhe për sukses në pjesëmarrjen e parë të Kosovës në një ngjarje të madhe shumë sportëshe.

“Sot kam njoftuar zyrtarisht përmes një e-maili Federatën Evropiane të Xhudos dhe Komitetin Olimpik të Kosovës se kampionia e botës dhe e Evropës, Majlinda Kelmendi, nuk do të marrë pjesë në Lojëra Evropiane. Pra, pjesëmarrja e saj është anuluar, ndonëse Majlinda kishte normë të fituar për këtë ngjarje”, ka thënë për gazetën “Koha Ditore” Driton Kuka, trajner i Majlinda Kelmendit.

Telegrafi ka mësuar se ende ka pak shpresa që Majlinda të rikthehet, por ajo nuk dëshiron të rrezikojë pasi kështu mund t’i përsëritet lëndimi në gju.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT