Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, në profilin e saj në ‘facebook’ në gushtin e vitit 2020 kishte treguar se si Grup Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje kishin iniciuar mocion mosbesimi për Qeverinë e Avdullah Hotit meqë thoshte se “s’mund të qëndrojmë duarkryq kur qytetarët vdesin”.

Pacolli aty kishte listuar të dhënat për COVID-19 nga data 27 korrik deri më 5 gusht.

Në atë periudhe kohore sipas përllogaritjeve që kishte bërë vetë Pacolli kishin qenë gjithsejtë 2 mijë e 409 persona të infektuar me COVID dhe 107 persona që kishin humbur jetën si rezultat i virusit.

Statusi i depuetets Fitore Pacolli më 10 gusht 2020
Këto statistika për Pacollin atë kohë ishin të mjaftueshme për të kërkuar rrëzimin e Qeverisë Hoti.

Por cila është situata pandemike aktuale?

Në periudhën kohore prej 18 gushti deri më 27 gusht kanë vdekur gjithsejtë 113 persona nga COVID-19, pra 6 më shumë se në periudhën kohore kur VV-ja dhe deputetja Pacolli kërkonin votim për rrëzimin e Qeverisë.

Derisa raste të reja të infektimeve për këtë periudhe kohore janë 20 mijë e 459, apo rreth 18 mijë më shumë se koha kur kërkohej rrëzimi i Qeverisë Hoti.

Gjithashtu gjatë kësaj periudhe kohore është shënuar edhe shifra rekorde e infektimeve. Më 25 gusht janë shënuar 2 mijë e 541 raste të reja me COVID-19.

Pavarësisht këtyre statistikave dhe situatës pandemike, ministrit Vitia i kanë dalë në mbrojtje zyrtarë të lartë të Qeverisë, si Donika Gërvalla e Besnik Bislimi, pas kritikave të shumta dhe kërkesave për shkarkim.

Gërvalla ka deklaruar se “ia heq kapelën” Arben Vitisë për punën e bërë derisa Bislimi ka thënë se Vitia është ministri më i mirë i Shëndetësisë pas pavarësisë.

Aktualisth kemi 25 mijë e 407 raste aktive derisa vendi pritet të futet përsëri nën masa rigoroze. Sot Qeveria do të mblidhet për vendosjen e orës policore, gastronomisë do t’i shkurtohet orari dhe një varg masash të tjera.