Lulzim Bashën e gjuan me karrigë një i ri në tubim elektoral

Një 27-vjeçar i cili dyshohet se ishte në gjendje të rënduar psikologjike, u arrestua në flagrancë nga Policia e Kolonjës për sulmin me karrige ndaj liderit të opozitës në takimin elektoral që Lulzim Basha mbajti në Ersekë për prezantimin e kandidatit për Bashkinë e këtij qyteti Viktor Duko.

Incidenti elektoral, i cili nuk është i pari për demokratët pas atij që u shënua në Durrës, ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, kur i riu Suel Liço banues në fshatin Taç të Ersekës hodhi karrigen në drejtim të vendit ku ndodhej Basha dhe drejtues të tjerë të takimit, por duke lënduar një nga militantët që ndodhej pranë kryedemokratit. Karrigia e hedhur goditi një të moshuar, 74-vjeçarin Fuat Mydini i cili mbeti i lënduar dhe u dërgua në spital.

Pas marrjes së mjekimit, i moshuari ka rrëfyer versionin e tij për incidentin gjatë tubimit elektoral të demokratëve ku tha se i riu kishte objektiv liderin e opozitës Lulzim Basha

Në lidhje me këtë incident elektoral kanë reaguar të dyja forcat politike.Partia Demokratike përmes një deklarate në mbrëmje dënoi dhunën dhe akuzoi se është orkestruar nga dyshja Rama-Meta, siç demokratët i referohen dy aleatëve në qeverisje. Ndërsa këtë të enjte, kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Ersekës, Arben Malo, tha se e majta distancohet nga kjo ngjarje. Malo sqaroi se i riu që ka qëlluar me karrige nuk është militant i Partisë Socialiste apo LSI-së dhe se reagimi i tij ka qene emocional, emocional pasi në momentin kur ka qëlluar në tribunë ka qenë duke folur xhaxhai i tij. “I urojmë shërim të shpejtë të dëmtuarit. Garantoj se Kolonja nuk do të ketë më asnjë incident”,  thotë ndër të tjera Malo.

Sakaq, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Korçës, 27-vjeçari ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike në momentin kur ka hedhur karrigen. Policia thotë se ai nuk ka qëlluar në drejtim të podiumit.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT