Luftëtari ka shfaqur interes për të nënshkruar me sulmuesin e talentuar kosovar Mevlan Zeka, por rivaliteti është i madh, pasi ndaj tij ka interes nga disa klube të Kosovës. Mësohet se 23-vjeçari i lindur në Gjakovë ka qenë në Tiranë për t’u takuar me presidentin e Luftëtarit, Grigor Tavo, ku ka diskutuar për kushtet që i ofrohen nga bluzinjtë. Interesi ndaj tij është i madh, pasi përveç Luftëtarit, edhe kampionët e Kosovës, kanë shfaqur interes për të nënshkruar me Zekën. Drita që dje fitoi titullin kampion në Kosovë, ka shfaqur dëshirën për t’u përforcuar me 23-vjeçarin sipas “Sport News”. Ata do të lujnë në Champions League edicion e ardhshëm dhe kërkojnë të përforcohen me lojtarë cilësorë.
Drejtuesit e Dritës do të diskutojnë me trajnerin Bekim Isufi për të diskutuar për planet e merkatos dhe ish-sulmuesi i Lirisë së Prizrenit qëndron në krye të listës. Nën drejtimin e Bledi Shkëmbit sulmuesi 23-vjeçar shënoi tre gola me fanellën e Lirisë këtë edicion duke bërë ndeshje mjaft të mira. Më herët ai ka luajtur edhe te Vllaznimi dhe Feronikeli, me të cilin kishte fituar edhe titullin e kampionit, teksa të dyja klubet kanë shfaqur dëshirën për të siguruar shërbimet e tij. Merkato në Kosovë hapet më 18 qershor dhe mbyllet më 17 gusht. Gjithsesi duket se Zeka preferon një aventurë jashtë Kosovës dhe Luftëtari për momentin duket opsioni më i mirë. Bluzinjtë do të luajnë edicionin e ardshëm në Europa League dhe gjakovari do të ketë mundësi të tregojë veten e tij edhe në arenën ndërkombëtare.