Lufta e Kosovës, dhe armët e UÇK-së në Muze

Gjurmët që kanë lënë të rënët në luftën e fundit ruhen në Muzeun e Kosovës. Ato kanë bërë vend në këtë institucion me vullnetin e familjarëve, duke bërë që veprat e tyre të përjetësohen. Uniforma, armët, bashkë me mbi 10 mijë eksponate bëjnë faktet e MK-së mbi luftën, ndërsa janë dy mijë armë të ndryshme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në mesin e tyre janë armët e komandantit legjendar Adem Jashari e të Hamëz Jasharit, bashkë me ato të luftëtarëve të tjerë.

Sadik Krasniqi, shef i sektorit të Historisë në Muzeun e Kosovës, ka thënë se Muzeu i Kosovës posedon një numër jashtëzakonisht të madh me relikte, por në mesin e tyre ka shumë armë të luftës së fundit që janë përdorur nga UÇK-ja kundër ushtrisë serbe. “Mbi 2 mijë ekzemplarë ekzistojnë në Muze të Kosovës të armëve, në mesin e tyre janë edhe kundërajrori 12, 7 milimetra, një top i madh rreth 90 milimetra dhe është një minahedhës 120 milimetra”, tregon Krasniqi, për këto lloje të armëve që UÇK-ja i ka përdorur në Koshare e që tani janë në oborrin e KM-së.

E krahas kësaj, Krasniqi thotë se ka edhe eksponate të tjera, si topi 75 milimetra, pastaj armë të lehta krahu siç janë kallashnikovi, prodhime të ndryshme jugosllave, kineze, sovjetike. “Armët e vogla UÇK-ja i ka përdoruar për shkak të pamundësisë që të ketë një arsenal ushtarak, të armëve të sofistikuara”, thotë historiani. Ai shprehet se mbi 2 mijë ekzemplarët pasqyrojnë në shumë dimensione luftën e UÇK-së. “Janë 10 mijë deri në 15 mijë ekzemplarë, reliktesh të ndryshme, materiale muzeore nga ngjarjet e luftës së fundit, duke përfshirë UÇK-në, eksode, gjenocide kulturore, masakrat e të tjera”, ka thënë Sadik Krasniqi për gazetën.

Përpos këtyre armëve, në MK ka edhe relikte të ndryshme si uniforma, rripa ushtarak, ditar lufte dhe të tjera gjëra, qoftë të dëshmorëve, të martirëve, të veteranëve, të invalidëve, të figurave të ndryshme intelektuale, por ka fakte nga pjesë e eksodit të shpërnguljes së rreth 1 milion njerëzve nga Kosova, fotografi të ndryshme materiale të incizuara e rroba të ndryshme që dëshmojnë dhunën e forcave serbe nga shqiptarëve.

“Ka veshje të brendshme të femrave shqiptare që kanë qenë viktima të dhunës nga paramilitarët serbë. Posedojmë një numër të dëshmive ku shihen gjurmët e dhunës”, ka treguar Sadik Krasniqi, sipas të cilit, në Muze ka koleksione të ndryshme që e përbëjnë tërësinë e koleksioneve të eksponateve, të materialeve muzeore të luftës së fundit të Kosovës.

“Ka eksponate duke filluar ato të komandantit legjendar Adem Jashari, siç është motori i tij, nga Hamëz Jashari, pastaj kemi nga dëshmorët e tjerë, si Bekim Berisha pjesë të uniformës së tij, Ilir Konushevci, çizmet e tij që janë simbolikë e bartjes së armatimit, pastaj Remzi Ademi e ka revolen e shumë dëshmorë të tjetër”, ka thënë Krasniqi, duke treguar se nënat, motrat, gruaja në momentin kur e kanë dorëzuar një relikt të familjarit të tyre dëshmor e kanë dorëzuar me lot në sy. “Mirëpo, kur e dinin që po i dorëzohej një institucioni, që për dispozicion ka prezantimin e tyre dhe eksplorimin figurës së familjarit të tyre që e ka dhënë jetën për lirin e Kosovës, ishte justifikimi më i mirë për t’ia dhënë Muzeut një dhuratë kaq të madhe”, është shprehur Sadik Krasniqi.

Ndonëse në Muze ka shumë relikte nga lufta e Kosovës, megjithatë dominojnë armët. Krasniqi thotë se nuk është e mjaftueshme mbledhja e eksponateve që është bërë deri më tani. “Mendoj se për t’u trajtuar në shumë dimensione çështja e luftës së Kosovës duhet kohë, distancë historike, por që në një masë të madhe e kemi përfaqësuar, kemi mbledhur dhe jemi në vijimësi të mbledhjes së tyre”, ka treguar Sadik Krasniqi. Ai thotë se kanë bërë kërkesë që të ndërtohet objekti dhe të themelohet një muze i veçantë për luftën.

“Një muze që do të quhej Muzeu Qendror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ose Muzeu Historik i Kosovës, në të cilin do të përmblidheshin të gjitha periudhat historike që nga antikiteti, në mënyrë kronologjike deri te historia më e re kombëtare”, ka thënë Krasniqi, por sipas tij, kjo është e pamundur për shkak të rrethanave të një mendësie në Kosovë. “Tek ne çdo gjëje po i jepet përparësi, por sa i përket kulturës, muzeologjisë, nuk bëhet asgjë”, ka thënë historiani Sadik Krasniqi, sipas  të cilit në Kosovë duhet një muze i luftës, sepse, vendi ku tani janë të grumbulluara eksponatet, që është bodrumi i KM-së, është vend shumë i vogël, në raport me kërkesat e mëdha.

Milot Mustafa, ushtrues detyre i drejtorit të Muzeut të Kosovës, thotë për “Zërin” se ekspozimi i eksponateve të luftës së Kosovës është i rëndësishëm që fëmijët të shohin si ka operuar UÇK-ja. “Jam dakord që të bëhet një muze i luftës, i veçantë, sepse është periudha më e rëndësishme e shtetit tonë. Duhet të themelohet një muze që i kushtohet vetëm luftës së fundit”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se është e domosdoshme që periudha e luftës të paraqitet në MK, por jo vetëm ekspozita e luftës së fundit. “Në Muzeun Kosovës nuk pasqyrohen të gjitha anët e luftës. Po të themelohej një muze i veçantë vetëm për luftën e fundit me siguri që njerëzit nuk do të hezitonin që gjërat që i kanë në shtëpi t’i sjellin në muze”, ka thënë Mustafa.

Targat e makinave, që kanë përdoruar në zona të luftës, e që kanë emërimet e tilla si “UÇK”, e “Drenica”, janë pjesë e ekspozitës së përhershme të Muzeut të Kosovës që pasqyron luftë e fundit të Kosovës. E krahas kësaj, në këtë ekspozitë ka edhe armë të ndryshme, nga më të lehta deri tek ato më të rëndat, uniforma, dokumente, fotografi e shkrimet që mediet ndërkombëtare i kanë shkruar për luftën e Kosovës.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT