LSDM Strugë: OBRM-PDUKM voton gjithçka që i shërbehet nga kryetari Sela

Nga LSDM në Strugë kanë akuzuar kryetarin e kësaj komune, Ziadin Sela për vazhdim të bashkëpunimit me OBRM-PDUKM, ngase sipas tyre disa nga postet kyçe në këtë komunë vazhdojnë të udhëhiqen nga kuadro të kësaj partie, ndërsa kryetari i Strugës ka demantuar akuzat se edhe më tej ka bashkëpunim të afërt me OBRM-PDUKM transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Shërbehen me truqe të këtilla se gjoja nuk janë në koalicion, ndërsa votojnë buxhete, votojnë për çdo gjë që ju shërbehet në tavolinë nga kryetari Sela. Lidhur me drejtorët, mund të them se ata në çdo kohë mund të japin dorëheqje nëse nuk duan të bashkëpunojnë me kryetarin. Fare nuk fshihet bashkëpunimi dhe kjo shihet nëpër të gjitha pjesëmarrjet në Këshill dhe nga bashkëpunimi i drejtorëve me vetëqeverisjen lokale”, ka thënë për Alsat M, Dame Lozhanovski, kryetari i LSDM Strugë.

Këshilltari i OBRM-PDUKM, Pero Petkoski në këshillin e Strugës ka deklaruar se ata nuk janë në koalicion me Selën që nga viti i kaluar prej kur u votua pika për të ndihmuar familjet që pësuan në aksionin policor në Kumanovë. Lidhur me postet e drejtorëve që i kanë në disa shkolla në Strugë, ai thotë se ende nuk u ka mbaruar mandati. Petkoski madje ka mohuar zërat e LSDM se votojnë çdo gjë që ju shërbehet në tavolinë duke shtuar se i kanë votuar vetëm ato pika për të cilat kanë vlerësuar se janë në interes të qytetarëve.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT