Lladrovci: Për arsimin e Drenasit, 430 mijë euro investime kapitale në vitin 2017

Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, në shkollën “Abedin Bujupi” të Arllatit, para arsimtarëve e mësimdhënësve të disa fshatrave, ka shpalosur programin e tij për arsimin në Drenas.

Lladrovci ka treguar se në komunën e Drenasit janë 32 objekte shkollore dhe 5 paralele të ndara fizike me 980 punëtorë të arsimit dhe me 13, 450 nxënës.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Lladrovci ka pohuar se janë planifikuar investime në ndërtimin e shkollës së mesme profesionale në Komoran, shkollës në Poklek të ri dhe çerdhes në Drenas.

“Synimi ynë është krijimi i kushteve sa më të mira për mësimdhënie dhe mësimnxënie”, ka thënë Lladrovci.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, ka thënë se shkollat tona kanë nevojë për psikologë, koordinatorë të cilësisë e pedagogë dhe se në këtë drejtim do të punojë edhe më shumë.

Kurse, për prindërit e nxënësve, Lladrovci ka thënë se do të informohen në mënyrë periodike për mungesat, sukseset ose mossukseset e fëmijëve të tyre dhe jo sikurse deri më tash vetëm dy herë në vit.

“Bashkëpunimi prind-shkollë-Departament i Arsimit, do të jetë i përhershëm me synim ngritjen e cilësisë në arsim. Në qeverisjen time, zyrat e komunës nuk do të jenë më të mira se vendi ku flenë e luajnë fëmijët në çerdhe. Do të shtoj numrin e anekseve për fëmijët parashkollorë në shkolla fillore dhe çerdhe. Kurse, 50 bursat e deritashme do t’i rris në 200, të cilat me prioritet do t’u ndahen vajzave”, është shprehur Lladrovci.

Ai ka thënë se do të ndihmohen edhe profesorët në përgatitjen e provimeve pranuese për të shtuar kuotën e të regjistruarve të Drenasit në universitete, si dhe do të mbështes edhe shkollat e mësimit të gjuhës angleze për nxënësit e shkollës fillore dhe të mesme.

Një çështje tjetër që kërkon kujdes për të rritur cilësinë e mësimdhënies në komunën e Drenasit, sipas Lladrovcit, është edhe verifikimi i rregullt i ankesave ndaj personelit arsimor dhe ndaj punësimit të tyre.

“Do ta rris disiplinën në shkollat tona”, ka thënë Lladrovci, duke shtuar se do t’i rris edhe investimet në laboratorë, në kabinetet e informatikës dhe në sallat e terrenet sportive.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit ka treguar edhe investimet e deritashme që i ka realizuar Drejtoria e Arsimit në Drenas, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Lladrovci ka thënë se në tre vjetët e fundit janë realizuar investime kapitale për ndërtimin dhe renovimin e shkollave në rreth 3 milionë euro, duke përmendur investimet në:

 

  1. Ndërtimin e shkollës “Abedin Bujupi” në Arllat,
  2. Renovimin e shkollës “Xheladin Gashi – Plaku” në Komoran,
  3. Ndërtimin e aneksit dhe sallës sportive në shkollën “7 Marsi” në Kishnarekë,
  4. Renovimin e plotë të shkollës, ndërtimin e terreneve sportive dhe gjelbërimin e oborrit në shkollën “Shaban Polluzha” në Korroticë të Epërme,
  5. Rregullimin e terreneve sportive në shkollën “Naim Frashëri” në Gllobar.

 

Gjithashtu, Lladrovci ka përmendur edhe punimet që po vazhdojnë në ndërtimin e shkollës së re “Hasan Prishtina” në Llapushnik, si dhe ndërtimin e palestrës sportive në shkollën “Xheladin Gashi – Plaku” në Komoran.

Mbi 1 milion euro investime kapitale të komunës së Drenasit, sipas Lladrovcit, kanë qenë të dedikuara për renovimin e shkollave, furnizimin e kabineteve me pajisje, rregullimin e terreneve sportive dhe instalimin e ngrohjeve qendrore nëpër shkolla.

Me këto investime, kandidati i PDK-së për Drenasin, ka treguar se është bërë restaurimi i shkollës më të vjetër në komunë, “Rilindja” në Dritan, e cila ka filluar punën më 1927, si dhe është ndërtuar aneksi për parashkollor në shkollën “Shotë Galica” në Tërrdec.

Lladrovci ka përmendur edhe ndërtimin e fushave sportive në shkollën e Gllanasellës, në Tërrdec, në Nekoc, në Poklek-Vasilevë, në Terstenik, në Baicë, në Abri, në Shtuticë, në Drenas, në Dritan, Likoshan dhe në Gradicë. Por, edhe rregullimin e ngrohjes qendrore në shkollat e Kraikovës, Gllanasellës dhe Terstenikut.

Gjithashtu, Lladrovci ka përmendur edhe renovimin e gjimnazit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, si dhe renovimin e shkollës “7 Marsi”, objekti i vjetër, si donacione nga BE-ja.

“Kanë mbetur edhe një numër i vogël i shkollave pa sistemin e ngrohjes qendrore, mirëpo planifikojmë që edhe këto shkolla të kenë ngrohjen qendrore shumë shpejt”, ka thënë Lladrovci.

Nga buxheti i komunës, Lladrovci ka pohuar se është renovuar edhe shkolla në Bytyq, paralelja në Gjergjaj dhe paralelja në Fushticë e Ulët.

Ai ka përmendur edhe pajisjen me kuzhina të 4 shkollave, përkatësisht në “Rasim Kiqina” në Drenas, shkolla “Halil Bajraktari” në Drenas, shkolla “Ali Gashi” në Çikatovë të Re dhe shkolla “Xheladin Gashi – Plaku” në Komoran, projekt ky, që sipas Lladrovcit do të vazhdojë edhe në shkollat tjera.

Për vitin 2017, kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, ka thënë se investimet kapitale në arsim arrijnë vlerën 429,791 euro.

Lladrovci ka thënë se ato do të investohet në infrastrukturë, në inventarë për shkolla, në pajisje të kabineteve, në ngrohje qendrore, në rrethoja te shkollave dhe në rregullimin e ambientit të jashtëm të shkollave.