Lladrovci – Jakup Krasniqit: Ty Jakup, teneqes e gazetarucit, dje ua dha përgjigjen edhe qytetari i Drenasit!

Ramiz Lladrovci u është rikthyer polemikave me figurat kyçe të UÇK’së, kësaj radhe duke sulmuar Jakup Krasniqin dhe Fatmir Limajn.

Derisa Jakup Krasniqin e përmend me emër e mbiemër, Lladrovci duket se ironizon me Limajn në fund, duke iu referuar si ‘Teneqe’. Kjo pasi Limaj gjatë kohës së luftës njihej me nofkën ‘Çeliku’, ndërsa Lladrovci duke ironizuar e quan ‘Teneqe’ Limajn, shkruan Periskopi.

Por Lladrovci duket se ka një emërtim edhe për gazetarin Milaim Zeka, i cili haptas doli në përkrahje të kandidatit të NISMA-së, Isa Xhemajlaj. Lladrovci i referohet Milaim Zekës si ‘gazetaruc’.

Lexoni të plotë reagimin e Lladrovcit:

Jakup Krasniqi, tungjatjeta!

Të kisha premtuar se përgjigjen time do ta marrësh pas zgjedhjeve në Drenas.

Më thuaj se ku dëshiron t’ia nisë, pas statusit Tuaj në FB, ditën e enjte, 15 dhjetor 2016?

Nëse dëshiron, ia nisim nga momenti kur të kam njohur fizikisht më 1991, po të duash nga ajo natë kur, bashkë me Gani Sylën, të solla në takim me Fehmi Lladrovcin, pas vendimit të madh për takimin e liderëve shqiptarë të rajonit, takim që do të mbahej në Slloveni, për të krijuar një front të përbashkët kundër Serbisë, para fillimit të luftës së armatosur në Kroaci?

Apo ke dëshirë t’ia nisim nga dita e 30 Dhjetorit 1991, kur për herë të parë të takova me Adem Jasharin, pas përballjes së parë frontale të Jasharëve me forcat serbe?

Ti e di se çfarë ndodhi asaj nate e më tej dhe, mos harro, se përveç heronjve Adem e Hamzë Jashari, Ilaz Kodrës, Shaban Shalës e Xheladin Gashit, gjithë protagonistët tjerë janë gjallë dhe mund të dëshmojnë pikë për pikë atë që do të them unë. Duke përfshirë edhe të tjerë që sot i bën pjesë të lojës politike…

Ndoshta ke dëshirë të flasim për mikpritjen, sepse në raste të veçanta me të shfaqet edhe karakteri i njeriut!
E kemi pritur bashkë Vitin e Ri 1992, në shtëpinë tënde, bashkë me bacën Rifat, Ademin, Hamzën, Sahit Jasharin, Ilaz e Fadil Kodrën, Shaban Shalën, Elmi Zekën, Idriz Hysenin, Jakup Nurën, Gani Sylën, Xheladin Gashin, Maliq Vilakun dhe, pasi e ndamë në dy pjesë Grupin e Prekazit, në mënyrë që, nëse njëri grup zbulohet e rrethohet, atë ta mbrojë grupi tjetër, erdhi momenti që nuk kam dashur kurrë të ta kujtoj:

Momenti në të cilin Ti dhe familja jote nuk kishte guximin t’i mbaje as dy orë në shtëpinë tuaj bacën Rifat, Ademin e Hamzën.

Atë natë, pra, kur ti refuzove që t’i mbash në “kullat” tuaja, vendosëm që ata t’i bashkohen Sahitit, Ilazit e Fadilit, që i kishim nisur dy orë më parë në shtëpinë e Shaban Shalës.

Pse u trembe aq shumë, sa u detyruam t‘i tërheqim edhe bacën Rifat, Hamzën e Ademin në shtëpinë e Shaban Shalës, i cili, edhe pse nuk kishte vend të mjaftueshëm për të strehuar gjashtë luftëtarë, lëshoi dhomën e tij dhe tregoi jo vetëm zemrën mikpritëse, por edhe guximin që e shoqëroi deri në momentin e fundit të jetës?

Sa për ta kujtuar, po të them se e gjithë kjo ka ndodhur në natën e ndërrimit të moteve, pra në natën e Vitit të Ri 1991-1992, kur u sollën, me 31 dhjetor, nga shtëpia e Elmi Zekës, pasi që i kishim tërhequr në mbrëmjen e një nate më parë, nga Prekazi, pas betejës së 30 Dhjetorit 1991.

Pas kësaj ngjarje, kur të njoha për herë të parë me Adem Jasharin, të cilët i strehove për dy orë, a më thuaj një rast të vetëm, kur e ke takuar atë apo luftëtarët tjerë pas prillit të vitit 1993?

Tregom një rast të vetëm, kur je takuar sy më sy me Adem Jasharin, deri në rënien heroike të tij dhe Jasharajve? Sot e gjithë ditën thirresh në emër të shumë heronjve, por deri në qershorin e vitit 1998, as nuk kishe lidhje me to, as nuk doje të kishe lidhje me to.

Më vjen keq që manipulon gjithnjë në emrin e tyre, ndërsa ti e di se nuk ke pasur as pikën e guximit, sikur nuk ka pasur guxim as ai gazetaruci, por edhe “Teneqja” me të cilët po shoqërohesh dhe, siç thotë gazetaruci, po të del këto ditë në mbrojtje, e nesër, kur t’i vije shtegu, ka për të sharë më shumë nga sa po më shanë mua sot.

Po të duash të tregoj se si nuk ke guxuar ta marrësh as Letrën e njohur, e Nentorit 1997. Ti e refuzove atë letër për ta përcjellë jashtë vendit, ku ishte drejtuar, gjë të cilën e bëri përsëri Shaban Shala.

Po të kesh dëshirë ia nisim edhe aty, kur ti ishe drejtor i shkollës së mesme „Skënderbeu“, në Maj 1998, kur lufta kishte nisur dhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Fehmiu e Xheva, së bashku me qindra ushtarë, ishin pozicionuar deri poshtë në Baicë, ndërkohë që ti mbaje mësim e silleshe lirshëm në Drenas, pa e kthyer kokën nga UÇK-ja?

Besoj se e mban mend „selamin“ që të dërgoi Fehmi Lladrovci, nga Baica, në prill 1998, me i mbyllë shkollat, se jemi në luftë e vijnë kriminelët serbë, rrëmbejnë fëmijët e i vejnë para si mburoje të gjalla kundër UÇK-së?

Ti prapë nuk u binde!

Këto janë vetëm disa pyetje për ty dhe fakte që t’i thashë për hir të një përgjigje vetëm ndaj disa shpifjeve tuaja, që kanë prekë rëndë babën tim dhe familjen time që nuk ta kishim borxh.

Ty Jakup, Teneqes e gazetarucit, dje ua dha përgjigjen edhe qytetari i Drenasit!

Ramiz Lladrovci