Lista Serbe e pret ftesën e Mustafës për t’u kthyer?

Drejtuesit e Listës Serbe po e presin ftesën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, për kthim në institucionet qendrore të vendit.
Aleksandër Jabllanoviq, kreu i Listës serbe ka deklaruar për ‘Zërin’ se po kërkojnë nga partnerët e koalicionit qeverisës, Isa Mustafa e Hashim Thaçi që të zbatohet marrëveshja e arritur për themelimin e Bashkësisë së komunave serbe.
Duke folur për protestën e paralajmëruar për këtë të shtunë nga partitë opozitare, ku njëra nga kërkesat është mos themelimi i Bashkësisë së komunave serbe, Jabllanoviq thotë se protestat e tilla po e komplikojnë më shumë çështjen e kthimit të tyre në institucione.
“Po presim se si do të kalojnë protestat, a do të ketë dhunë, apo do të jenë paqësore dhe të shohim pastaj se çfarë do të bëjmë”, tha Jabllanoviq.
Pas protestave, Jabllanoviq thotë se pret të takohet me partnerët e koalicionit dhe se sipas tij, është kryeministri Isa Mustafa, ai që duhet të thërrasë Listën Serbe në takimin e radhës.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT