Lista e Mourinjos

 

Jose Mourinho riktheu Chelsean kampion të Anglisë dy vjet pas rikthimit të tij në Londër dhe tashmë kërkon të zgjerojë edhe më shumë rrugën ku kërkon të ecë skuadra e tij. Për “Special One” titulli i Premier League duket i pamjaftueshëm, prandaj ai ka hartuar prej kohësh një listë me emra për t’ia paraqitur presidentit Roman Abramovich. Duke parë marrëdhëniet e ngrohta mes të dyve, vështirë se manjati rus do t’ia prishë dëshirat portugezit që planifikon një verë të nxehtë në merkaton e bluve të Londrës, të cilët mund të rikthehen sërish kryefjalë për goditjet e shtrenjta. Sipas “Daily Mail”, Mou kërkon me çdo kusht Gareth Bale, duke hyrë në garë bashkë me Manchester United dhe Bayern Muenchen. Uellsiani po kalon një moment jo të mirë në Spanjë dhe rikthimi në ishull është një opsion që nuk e përjashton.
Në këtë aspekt, Mourinho duhet të fitojë betejën me kolegun Van Gaal që gjithashtu e ka sulmuesin në krye të listës së transferimeve. Një tjetër objektiv është Paul Pogba, por gara për francezin pritet të jetë e ashpër sepse kandidaturën për të e kanë hedhur edhe dy superfuqi financiare si PSG dhe Real Madrid. Në repartin e mbrojtjes, Raphael Varane mbetet emri kryesor. Mourinho i dha besim francezit kur drejtonte Realin e Madridit dhe ish lojtari i Lens mund të kërkojë ribashkimin me luzitanin për të zenë vendin e kapitenit John Terry. Një tjetër mbrojtës në shënjestër është edhe 20-vjeçari i Evertonit, John Stones, ndërsa nuk mbetet pas as Joao Miranda i Atletico Madrid. Lista e luzitanit plotësohet nga Douglas Costa, Alexandre Lacazette, Seamus Coleman, Aaron Cresswell dhe bomberi i Shakhtar Donetsk, Luiz Adriano. Ndoshta jo të gjithë emrat e sipërpërmendur do të bien në rrjetën e trajnerit portugez, por e sigurt është që gjatë kësaj vere, Chelsea do të thotë fjalën e vet, ndoshta në merkaton më të shtrenjtë të erës Abramovich.

 

- Advertisement -

MË TË FUNDIT