Lista e kandidatëve për anёtarë tё Këshillit për Trashëgimi Kulturore me konflikt interesi

    Komisioni  për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, kryesuar nga Nait Hasani, kryetar i Komisionit, në mbledhjen e sotme kishte në rendin e ditës shqyrtimin e listës së kandidatëve për anёtarë  tё Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
    Si në fjalën e Hasani, ashtu edhe në diskutimet e anëtarëve të Komisionit, u tha se kjo listë nuk i plotëson kriteret  e duhura për shqyrtim, meqë ka konflikt interesi, si dhe nga fakti që  CV-të e kandidatëve nuk janë të  kompletuara.
    Ndër të tjera u theksua se në mesin e kandidatëve të propozuar është edhe një deputet, që përbën konflikt interesi.
    Komisioni u pajtua që ministrit të Kulturës t’i bëhet kërkesë që kjo listë të kompletohet sipas dispozitave ligjore dhe atëherë të sillet për shqyrtim në këtë Komision.
    Gjatë kësaj mbledhjeje u diskutua edhe çështja e aferës së diplomave në Universitetin e Pejës. U pa e nevojshme që Komisioni të ftojë në një takim ministrin e Arsimit për të parë gjendjen aktuale në universitetet e Kosovës.
    Në mbledhje u bë fjalë edhe për çështjen e shkollimit dhe cilësisë së mësimdhënies në Luginën e Preshevës, ku ky Komision, sapo ka kryer një vizitë për t’u njohur me gjendjen e arsimit të atjeshëm.
    Në vijim u tha se është e nevojshme të bëhet një vizitë edhe në viset shqiptare në Malin e Zi, si dhe në Podgoricë, për t’ u njohur me gjendjen e arsimit në viset e banuara me shqiptarë. Komisioni vendosi që t’i bëjë një ftesë Komisionit për Arsim të Serbisë që të vizitojë Kosovën dhe të takohet me Komisionin për Arsim të Kosovës.
    Me këtë rast, do të shqyrtohej çështja e arsimimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, rrethanat në të cilat zhvillohet arsimi dhe nevojat që ka popullsia shqiptare në këtë lëmë. Po kështu, do të bisedohej edhe për çështje të arsimimit në gjuhën serbe në Kosovë.