Janë liruar kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, dhe aktivistët tjerë të kësaj partie, që u arrestuan sot pas aksionit për pengimin e konferencës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilova, raporton Express

Lajmin për Gazetën e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 10:00 është pranuar informata për një aktivitet të paparalajmëruar nga një grup personash, të ndodhur në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë. Veprimet që kanë karakterizuar këtë aktivitet kanë determinuar reagimin policor dhe për rrjedhojë pesë nga këta persona janë shoqëruar në stacionin policor. Hetuesit policor të udhëhequr nga prokurori i shtetit kanë kryer veprimet preliminare hetimore me qëllim të sqarimit dhe ndriçimit të plotë të rrethanave që kanë karakterizuar ngjarjen”, ka deklaruar Borovci.

Borovci deklaroi se të gjithë aktivistët e arrestuar sot nga policia, janë liruar në procedurë të rregullt.

Së këndejmi me vendim të prokurorit të shtetit ndaj dy të dyshuarve është iniciuar hetim për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” përderisa ndaj të gjithëve është iniciuar “Procedurë Kundërvajtëse”. Të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt”, ka deklaruar Borovci.

Ndryshe, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj dhe aktivistë të tjerë të partisë së tij janë arrestuar, pasi penguan mbarëvajtjen e konferencës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilova./GazetaExpress/