Liqeni i Kripur, “parajsa” e flamingove në Turqi

Liqeni i Kripur (Tuz Golu) i cili ndodhet në mesin e ambienteve më të rëndësishme të lagësht në botë ku flamingot ulen për të ngrohur vezët, me çeljen e dhjetëra mijëra zogjve të rinj është shndërruar si një “parajsë” e flamingove.

Rajoni Ekslin në qytetin Akasaray në Turqi, me çeljen e zogjve të rinj të flamingove është bërë akoma edhe më i hareshëm ku zogjtë në rajonin e shndërruar si një “parajsë” ofrojnë pamje mahnitëse, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i bashkisë Eksil, Niyazi Alçay, në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se vendet e lagështa me kripë për flamingot janë vendet më të rëndësishme në botë për jetesën dhe për çeljen e zogjve.

Duke vënë në dukje se flamingot janë shumë të ndjeshëm në zgjedhjen e ambientit për çeljen e zogjve Alçay tha se “Në pellgun e Mesdheut në shumë vende vërehen flamingot, të cilët janë shumë të ndjeshëm në zgjedhjen e ambientit për çeljen e zogjve. Ndërsa në vendin tonë çdo vit dhjetëra mijëra flamingo vijnë në rajonin Eksil i cili ndodhet në jug të Liqenit të Kripur. Zogjtë ulen për të ngrohur vezët në varësi të situatës së ujit në liqen”.

“Liqeni i Kripur është vendi i cili pret kolonitë më të mëdha të flamingove në pellgun e Mesdheut. Flamingot ulen këtu për të ngrohur vezët në një hapësirë të sigurt brenda liqenit larg njerëzve të rajonit tonë në Eksil, dhe pas çeljes ata qëndrojnë për të paktën tre muaj në liqen. Zogjtë flamingo të cilët jetojnë të bashkuar në liqen pasi arrijnë në fazën madhore ata nisin të mësojnë fluturimin dhe më pas fluturojnë duke migruar në vende të ndryshme të botës”, është shprehur Alçay.

Duke theksuar se Liqeni i Kripur është një “parajsë” për flamingot Alçay tha se “Kjo koloni prej dhjetëra mijëra e flamingove të cilët sapo kanë hapur sytë në këtë botë e kanë shndërruar tashmë në një ‘parajsë’ të flamingove Liqenin e Kripur. Në disa vite numri i flamingove në liqen arrin mbi 50 mijë”.

Ndër të tjera në fjalën e tij Alçay ka bërë të ditur se duhet të bëhen shumë gjëra për mbrojtjen dhe strehimin e flamingove që jetojnë në Liqenin e Kripur, ku kryesisht të gjithë duhet të kontribuojnë për mirëmbajtjen dhe mos eliminimin e këtij territori të rëndësishëm për jetesën e flamingove, që është një vlerë e madhe.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT