Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ka thënë se as viti shkollor dhe as viti akademik nuk do të shkojnë bosh për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Likaj ka thënë se testi i Arritshmërisë mund të anulohet tërësisht, nëse në vend nuk zvogëlohet numri i rasteve të të infektuarve me koronavirus, njofton Klan Kosova.

“Për testin e Arrtishmërisë kemi menduar, ekziston mundësia që mund të jetë në rast se numri i të prekurve me virusin nuk vjen duke rënë, mund të ndodh që ta anulojmë plotësisht. Rezultate e këtij testi kanë qenë kriter për pranim në shkolla të mesme si gjimnaze dhe mjekësi por me ekspertët e arsimit do të bëjmë grupe punuese për ta zgjidhur një problem të tillë”, ka thënë Likaj në Edicionin Special.

Sot Ministria e Arsimit ka marrë vendim për shtyrje të testit të Arritshmërisë dhe të Maturës për data 20 gusht, respektivisht 29 gusht.

“Shtyrja e datës së dy testeve ka qenë proces bukur u mundimshëm. Si prind dhe mësimdhënës kam pasë shqetësim për nxënësit dhe stafin arsimor. Jemi konsultuar me drejtorët e Drejtorive Komunale dhe pavarësisht se ata kanë thënë se janë të gatshëm që t’i organizojnë testet, por pas konsultimeve me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe me rekomandimin e IKSHPK kemi vendosur që të shtyhen”.