Ligji për Sigurimet Shëndetësore nuk po gjen zbatim

Ndonëse ligji për Sigurimet Shëndetësore ka marrë pëlqimin e deputetëve dhe është miratuar në Kuvendin e Kosovës vitin e kaluar, ky ligj ende nuk po gjen zbatim.
E ata që po pësojnë në vendin e tyre të punës, e ndjejnë më së shumti mungesën e këtij ligji.
Zjarrfikësi Ismet Kaçiku, mbeti i shtrirë e përplot plagë, pas një aksidenti që e pësoi në krye të detyrës.
Ai u lëndua derisa po provonte ta fikte zjarrin që e kishte kapluar një objekt të moçëm të Mitrovicës, para disa javësh.
Por tash, në mungesë të sigurimit shëndetësor, të gjitha trajtimet e plagëve që i mori, i duhet t’i paguaj vetë.
Edhe kryesindikalisti i Zjarrfikësve të Kosovës Muharrem Beka, shpreh shqetësimin e tij për heshtjen e institucioneve karshi kësaj çështjeje, e cila për ta thotë se është shumë e rëndësishme.
“Ne kemi ngre shqetësimet dhe shtrohet pyetja… kontributi jonë të cilin e japim ku me angazhimin tonë me specifikat tona ku drejtpërdrejt e vejmë jetën ne rrezik për interesin e qytetarëve”, tha Beka.
Të njëjtin hall me zjarrfikësit e kanë edhe Policia e Kosovës. Kryetari i sindikatës së policëve, Shaban Tasholli thotë se sigurimi shëndetësor për këtë kategori duhet të trajtohet me prioritet nga institucionet e vendit.
“Për mendimin tim Kontrata Kolektive rritja e rrogave nuk ka kurrfarë efekti mos me pas sigurim shëndetësor”, tha ai.
Ndryshe, ligji për Sigurimet Shëndetësore ka marrë pëlqimin e deputetëve dhe është miratuar në Kuvendin e Kosovës vitin e kaluar, por ende nuk ka gjetur zbatim.
RTK mëson se Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale do të diskutojë për zbatueshmërinë e ligjit për sigurimet shëndetësore bashkë me Ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmanin, jo më larg se dy javë.
Sidoqoftë, ky ligj pritet të jetë i zbatueshëm në vitin 2016.(RTK)
- Advertisement -

MË TË FUNDIT