Liderët e Maqedonisë nesër në Bruksel

Katër liderët e partive politike në Maqedoni kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e nesërm në Bruksel, në përpjekje për të zgjidhur krizën politike. Delegacionet e partive politike udhëtuan që sot në drejtim të Brukselit, me qëndrime tashmë të konfirmuara.VMRO DPMNE-ja dhe LSDM-ja ndeshen rreth përbërjes së Qeverisë e cila do të organizojë zgjedhjet e paralajmëruara për prill të vitit të ardhshëm transmeton Alsat.

Kryeministri Gruevski këmbëngul që Qeveria duhet të reflektojë vullnetin e popullit, të shprehur në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ai hedh poshtë çdo lloj qeverie kalimtare të cilën nuk do ta udhëhiqte kryeministri aktual. Sidoqoftë, informacionet jozyrtare thonë se vijat e kuqe të kompromisit për Gruevskin mund të jenë ruajtja e të drejtës që VMRO DPMNE-ja të nominojë kryeministrin dhe disa nga ministrat në Qeverinë e mundshme kalimtare.

LSDM-ja nga ana tjetër, nuk do të pranonte asnjë lloj përbërje qeverie që do të udhëhiqej nga Nikolla Gruevski, ose nëse marrin pjesë figura të inkriminuara nga përgjimet e publikuara deri tani. Zaev dje, edhe publikisht u shpreh i gatshëm për kompromis rreth propozuesit të kryeministrit të Qeverisë kalimtare, nëse Gruevski pranon të tërhiqet nga posti i tij.

Për opozitën, më e rëndësishme është garantimi ndërkombëtar i procesit të çkriminalizimit të institucioneve dhe hetimi i pavarur i përgjegjësve për përgjimin dhe indikacioneve të tjera që zbuluan bombat e deritanishme. Kjo, sipas opozitës do të mund të arrihej vetëm me shkarkimin e prokurorit aktual dhe emërimit të një prokurori të pavarur shtetëror.

LSDM-ja dhe opinioni në vend janë skeptik dhe të rezervuar lidhur me rolin e ndërmjetësuesit të këtyre bisedimeve, euro-komisarit Johanes Han, sidomos pas deklaratës së tij në Uashington, ku tha se OSBE/ODIHR-i i paska cilësuar si pozitive zgjedhjet e fundit në Maqedoni. Ai më vonë u sqarua në bisedë telefonike me liderin opozitar dhe përmes një komunikate gjatë ditës së djeshme. /zhurnal/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT