Liburn Aliu fyen dhe e përzë Sylejman Kllokoqin nga zyra

Drejtori i Urbanizmit në Prishtinë, Liburn Aliu po vazhdon të sillet si kauboj. Ai sot e ka përzënë nga zyra Sylejman Kllokoqin duke i ngritur zërin vetëm pse i tha se edhe udhëheqja aktuale e Kryeqytetit është përfshirë në korrupsion dhe s’po ju ndihmojnë qytetarëve por biznesmenëve.

Sylejman Kllokoqi ka treguar se Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliu e ka përzënë nga Zyra e tij, pasi i kishte thënë se edhe zyrtarët aktual të komunës janë përfshirë në korrupsion për një problem të lagjes së tij.

Kllokoqi, ka treguar se qe shtatë vite e ka të njëjtin problem me një kompani private, e cila i ka vendosur reklamat në murin e banesës së tij.

Për këtë problem, Kllokoqi e kishte njoftuar edhe Drejtorin e Inspeksionit, Xhelal Sveçla, por se deri më tash askush s’i kishte bërë zgjidhje.

Megjithëkëtë, të martën, në ora 22 të mbrëmjes, Kllokoqin e kishin njoftuar se Librin Aliu do ta takonte të mërkurën në ora 10.

Ai sqaron momentin kur Aliu e ka larguar nga zyra.

“Shkova sot. Mendova se më ka thirr të bisedojmë për këtë punë dhe të sqarojmë punët mirë. Me fjalë të tjera, më tha se Milazim Zeqiri i ka të gjitha dokumentet në rregull dhe ju s’keni asgjë. Unë i thash se kjo po më duket se është jashtëligjore dhe më duket e kam përmendur se është korrupsion. Në atë moment, Liburni më tha dil jashtë. Bërtiti me zë të lartë dhe më qiti nga zyrja. Kjo kurrë në jetën time s’më ka ndodhur”, ka treguar Kllokoqi për Express.

Ai ka sqaruar më tej se pse ka shkuar në Komunë për t’i qarë hallet e tij.

“Kam pasur një takim sot në ora 10.10 minuta me Liburn Aliun lidhur me disa veprime jashtëligjore që është duke i bërë Milazim Zeqiri i MCM’së. Kjo punë është qe disa vite. E kam lajmëruar në polici, është në gjyq, është në ombudsperson dhe është një problem se Milazim Zeqiri po bën çka po donë në lagjen tonë”, ka thënë ai.

“Edhe në kohën e LDK’së ka bërë gjithçka. Edhe në kohën e Vetëvendosjes është bërë edhe më i fortë”.

Kllokoqi ka treguar se do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kërkuar të drejtën e tij.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT