Librat më të shitur në Panairin e 18 të Librit në Prishtinë

Në ditën e fundit të Panairit të 18-të të Librit në Prishtinë, janë shpallur edhe librat më të kërkuar.

Në kategorinë e librave në gjuhën shqipe, në këtë panair më së shumti janë shitur librat “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit” nga Veton Surroi, “Rrebelimi i Lulus” nga Albatros Rexhaj, “Shkëlqim dhe tmerr” nga Bekim Fehmiu, Veli Karahoda me librin “Serpenti dhe hija” dhe “Puthësi i paligjshëm” shkruar nga Azem Deliu.

Daut Demaku, pjesë e organizimit të Panairit të Librit, ka shpallur edhe librat më të kërkuar nga letërsia e huaj.

“Muzeu i Pafajësisë” nga Orhan Pamuk, “Origjinalet” nga Adam Grant, Noel Malcolm me “Agjentët Perandorakë”, Umberto Eco me “Numri zero” dhe “Kupidet kokulur” nga Jennie Dorny janë librat më të shitur nga letërsia e huaj, gjatë gjashtë ditëve sa zgjati Panairi.

Demaku po ashtu ka treguar sot se përafërsisht rreth 38 mijë deri në 40 mijë vizitorë ka numëruar Panairi i sivjetmë.

“Kërkesat janë plotësuar në përgjithësi, me përjashtim të letërsisë për fëmijë e cila ka mbetur më pak e plotësuar në Panairin tonë. Megjithatë kemi pasur promovime të shumta, i kemi festuar përvjetorët dhe viteve tjera duam ta ndërkombëtarizojmë këtë Panair” ka thënë mes tjerash Demaku në ditën e fundit të Panairit të Librit në Prishtinë.  /KultPlus.com 

 

- Advertisement -

MË TË FUNDIT